English

Ndihma e BE-së për Haitin, 120 milionë euro. Nis hedhja e ndihmave nga qielli

Porto Prince, 19 janar, NOA - Ndihma e akorduar prej vendeve të Bashkimit Evropian për Haitin, ishullin që u godit nga një tërmet i fortë para pak ditësh mësohet të jetë plot 120 milionë euro.

Ky fond do të vihet në dispozicion menjëherë, ndërsa nga autoritetet e Brukselit bëhet me dijeni se përveç kësaj ndihme humanitare, është e mundur edhe një ndihmë shtesë për rindërtimin prej 300 milionë eurosh.

Lajmi është komunikuar menjëherë pas një takimi krize të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

"Këshilli i BE-së për politikën e jashtme u mblodh së pari për të bërë një bilanc të situatës dhe për të diskutuar për koordinimin më efektiv të ndihmave. Së dyti, për të menduar për javët dhe muajt që vijnë. Kjo tragjedi do të kërkojë nga të gjithë ne përpjekje të konsiderueshme për të ndihmuar këtë vend dhe kjo është ajo që do të bëjmë", tha lidhur me një fakt të tillë, e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme, Catherine Ashton.

Aktualisht në Haiti, po shtohet numri i plaçkitjeve dhe akteve të dhunës. Shumë njerëz në zonat e katastrofës nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqime, ujë dhe barna.

Ndërkaq, burimet ushtarake amerikane njoftuan se kanë bërë furnizime të popullsisë me ndihma humanitare nga ajri, madje po nga ajri janë lëshuar vakte të gatshme për t'u përdorur si dhe ujë i pijshëm. n.e/NOA

KOMENTE