English

Përmbytjet, PS: Korça e Pogradeci ndihma për shkodranët

Tiranë, 19 janar NOA - Shtabi i Ndihmës i ngritur nga Partia Socialiste në qarkun e Shkodrës vazhdon të koordinojë nevojat e banorëve të zonave të përmbytura me ato çka qytetarët e qyteteve të ndryshme mund të ofrojnë për shkodranët që pësuan dëme të mëdha në banesa, toka të mbjella, bagëti.

Këtë fakt e ka bërë të njohur sot pasdite Partia Socialiste e cila shtoi se në komunën Dajç një prej komunave më të dëmtuara, ku shtëpitë u përmbytën plotësisht, në bazë të kërkesave të banorëve janë dërguar ndihmat e dy qyteteve, Korçë dhe Pogradec.

"Janë shpërndarë 500 pako me veshje dhe ushqime nga banorët e këtyre dy qyteteve, të cilët janë solidarizuar me katastrofën humanitare në të cilën ndodhen shkodranët.

Po ashtu një prej bizneseve të Pogradecit ka dërguar në këtë komunë 2000 litra lëngje frutash. Kryetarët e bashkive të Pogradecit e Korçës së bashku me deputetët dhe drejtuesit e Shtabit të ndihmës së PS në Shkodër janë shprehur se ndihma dhe solidarizimi i qytetarëve do të vazhdojë edhe në ditët që vijnë në mënyrë që shkodranët në këto ditë të vështira të mos ndihen vetëm" thuhej në deklaratën e PS-së.

Niko Peleshi, Kryetar i Bashkisë Korçë tha: " Ne kemi ardhur këtu për të sjellë një kontingjent ndihmash nga qytetet tona, bashkia e Korçës dhe ajo e Pogradecit.

Kjo ishte iniciativë e bashkive të majta, e përkrahur nga qytetarët.

Mendojmë që ky është një kontribut modest për të shmangur sadopak atë fatkeqësi që pësuan banorët e këtyre zonave. Është një apel nga qytetet tona jugore, për vëllezërit tanë këtu në veri, do të dëshironim që kjo të mos përsëritej më. Padyshim që duhet të shkoj ky mesash te institucionet qeveritare, te qeveria që duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, jo pasi fatkeqësia ka ndodhur,por për t'a menaxhuar atë paraprakisht që të mos ndodhë"

Artan Shkëmbi, Kryetar i Bashkisë Pogradec tha: " Tani që tërheqja e ujit ka filluar, kjo zonë nuk duhet të jetë jashtë vëmendjes së qytetarëve dhe qeverisë.

Është momenti për të kontribuar me ndihmë gjithsecili prej nesh. Vazhdojnë kontributet nga qyteti i Pogradecit dhe i Korçës, ku biznesmenët janë duke mbledhur ushqimet e nevojshme për t'i sjellë këtu. Ndihma jonë do të vazhdoj sërish, me ndihma ushqimore, veshmbathje, por edhe kontribute financiare, të cilat janë të nevojshme tani që uji po tërhiqet dhe nevojat po dalin në pah.

k.k/NOA

KOMENTE