English

Ditë zie për Panajot Panon, homazhe në orarin 12.00-14.00 tek Pallati i Kongreseve

Tiranë, 28 janar, NOA Update - Pasi po mbërrin në Shqipëri, trupi i pajetë i legjendës së sportit shqiptar, Panajot Pano, do të vendoset në Pallatin e Kongreseve.

Aty bëhet me dijeni se gjatë orarit 12.00-14.00 ndaj tij do të mund të kryejnë homazhe dashamirësit e sportit, por edhe qytetarë të tjerë të vendit të cilët vlerësojnë lart figurën e futbollistit të madh shqiptar.

Trupi i pajetë i "Nderit të Kombit" mësohet se po pritet të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aeroportin e Rinasit nga autoritete të larta vendase, ndërsa ata presin ta përcjellin më pas në mjediset publike ku do mund t'i bëhen homazhe.

Ndërkaq, dita e sotme është caktuar zi kombëtare sipas një vendimi të marrë disa ditë më parë nga Këshilli i Ministrave.

"Atë ditë të gjithë flamujt në institucione do të ulen në gjysmë shtizë, RTVSH do të transmetojë muzikë funebre ndërsa do të mbahet edhe një minutë heshtje", ka qenë komunikimi i bërë prej Berishës lidhur me një fakt të tillë.

Nga ana tjetër, po me vendim qeverie, bëhet me dijeni se shpenzimet për transportimin e trupit dhe ceremoninë e varrimit do të paguhen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

n.e/NOA

KOMENTE