English

Ligji në Maqedoni, mbeten të pazbuluar spiunët e pas ‘1991

Shkup, 28 janar, NOA - Të gjithë bashkëpunëtorët dhe spiunët e shërbimeve sekrete që kanë vepruar pas vitit 1991 e deri në vitin 1998 në Maqedoni do të mbeten të pazbuluar. Kjo u bë për shkak të heqjes së aplikimit të pesë neneve të ligjit për lustrim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, për të cilët nene do të shqyrtohet kushtetutshmëria e tyre. Sipas vendimit të gjykatës, komisioni për dosjet do të mund të verifikojë funksionarët se a kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete nga periudha e vitit 1944 e deri në vitin 1991, kur është sjellë Kushtetuta e Maqedonisë.

Ndërsa, deri tani sipas Ligjit për lustrim janë verifikuar funksionarët dhe zyrtarët deri në vitin 2008, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Kështu përfundimisht është hequr e drejta e komisionit për ti njohur bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete që kanë bashkëpunuar deri tani gjatë kohës së tranzicionit, mirëpo prapë se prapë do të bëhen të njohur ata që kishin spiunuar gjatë regjimit të komunizmit. Një nga nenet që janë hequr ka të bëjë me mospërfshirjen në procesin e lustrimit të udhëheqëve fetar, kështu që të gjithë lustrimit do ti shpëtojnë hoxhallarët, priftërinjtë dhe predikuesit e feve të tjera. Po ashtu, me një nen të hequr tanimë ndalohet që emrat e bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekret të publikohen në gazetën zyrtare. Ndërkohë, dy ditë më parë hyrën në fuqi afatet që të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe avokatët e popullit të dorëzojnë pranë Komisionit për Lustrim deklaratat e tyre të noterizuara se a kanë qenë të përfshirë në shërbimet sekrete. Siç bëhet e ditur nga ky komision nga dita e parë vetëm një gjykatës ka dorëzuar deklaratën e tij, ndërsa afati për dorëzimin nga zyrtarët e tjerë të drejtësisë është vetëm një muaj. Bartësit e funksioneve publike në Maqedoni prej 1 shtatorit të vitit të kaluar parashtruan deklaratat ë verifikuara në noter se nuk kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete.

NOA-INA

KOMENTE