English

Prokuroria e Sarandës identifikon autorët e një grabitjeje me vdekje e ndodhur në vitin 1966

Sarandë, 28 janar NOA - Prokuroria e Sarandës në bashkëpunim me policinë i janë rikthyer një ngjarjeje të vjetër ndaj së cilës posedonin pak prova por kanë mundur të ndalojnë tre autorët e dyshuar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin Korrik të vitit 1996, ku pamvarësisht mungesës së provave Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë në bashkëpunim me policinë ka arritur të rihapë dhe rimbledhë provat e të dhënat e kësaj ngjarje.

Për ngjarjen e vitit 1996 nuk ka pasur të dhëna për numrin e procedimit apo për persona të dyshuar në kryerjen e veprës penale,pasi për shkak të trazirave të ndodhura në muajin mars të vitit 1997, fashikulli i procedimit në Prokurori dhe Gjykatë, janë djegur dhe personat janë shmangur nga përgjegjësia penale.

Pavarësisht mungesës së provave, për këtë dosje të vitit 1996, gati të mbyllur Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë në bazë të dhënave të mbledhura arriti të ndalojë tre shtetas.

Në lidhje me këtë ngjarje rezulton se në fshatin Dyrmish të rrethit Sarandë, në muajin Korrik të vitit 1996, është kryer vjedhje e një sasie valute (dhrahmi) shtetasit Jorgo Zisi. E ndërsa dy prej autorëve ishin të angazhuar për të marrë sasinë e parave të ndodhura në kasafortë njëri prej autorëve ka ekzekutuar me thikë shtetasin Jorgo Zisi.

Mbi deklarimin e të dhënave nga bashkëshortja e të ndjerit Jorgo Zisi, shtetases Gafuro Zisi i është marrë dëshmi e hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lokalin e saj në muajin korrik të vitit 1996.

Mbi këtë bazë më datë 22.06.2009 është rifilluar hetimi në lidhje me procedimin penal duke u regjistruar procedimi penal me nr 180, për veprën penale "Vjedhje me pasojë vdekjen". Në bazë të provave të grumbulluara janë ndaluar Shahin Ismaili,banues në fshatin Gjashtë rrethi Sarandë, Edvin Kamberaj, banues në fshatin Metoq-Sarandë dhe Metush Bushaj, banues në fshatin Gjashtë rrethi Sarandë.

k.k/NOA

KOMENTE