English

Këshilli i komunës së Strugës ndau 10 mijë euro për Shkodrën

Strugë, 29 janar NOA - Për të ndihmuar zonat e përmbytura të Shkodrës, aksionit dhe apelit për ndihmë këtyre zonave, iu është bashkangjitur edhe komuna e Strugës.

Për këtë qëllim, Këshilli i komunës, me vendim të miratuar nga të gjithë këshilltarët, ka ndarë 10 mijë euro. Këtyre mjeteve do t'i shtohen edhe mjetet e grumbulluara nga donatorët e tjerë të komunës së strugës.

Kryetari i Këshillit të komunës së Strugës, Xhevair Beqiri, lidhur me këtë u shpreh:

"Për shkak të situatës alarmante në qytetin dhe rrethinën e Shkodrës, Këshilli mbajti një mbledhje urgjente më datë 18 janar dhe miratoi një vendim unanimisht, për ndarjen e një sasie prej 600 mijë denar (10 mijë euro), si ndihmë humanitare, për zbutjen e situatës së krijuar. Për realizimin e këtij vendimi, pra për këtë qëllim, do të komunikojmë me autoritetet në Shkodër, që ndihma jonë të arrijë në destinacionin e duhur dhe të zë vend në tejkalimin krizës së krijuar. Mjeteve të ndara nga Këshilli i komunës së Strugës, do tu shtohen edhe mjetet që do të grumbullohen nga donatorët e ndryshëm që kanë shprehe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Shkodrën" theksoi Xhevair Beqiri.

Pritet, që këto ndihma, të nisen drejtë Shkodrës, sapo të përfundojë grumbullimi i artikujve ushqimor dhe të tjerë, që do të bëhet në konsultim me autoritetet shqiptare në Shkodër, konkretisht me Shtabin e emergjencës në Shkodër

INA/NOA

KOMENTE