English

PS, Meksi: Të rishikohet në mënyrë urgjente buxheti i 2010-ës

Tiranë, 1 shkurt NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës është shprehur se PS mendon se krahas vëmendjes për zgjidhjen e krizës politike nuk duhet shmangur vëmendja nga ekonomia e cila prej kohësh po shfaq shenjat e krizës.

"Ndërsa jemi në shkurt 2010, këto ditë po kalon në Kuvend një akt normativ për buxhetin e vitit 2009, i cili për të tretën herë brenda një viti ndryshon të ardhurat buxhetore në drejtim të uljes. Me këtë akt maxhoranca pranon zyrtarisht mosrealizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, duke zyrtarizuar sa opozita kish parathënë me kohë.

Ky akt nga 334 miliardë lekë që ishin të ardhurat në buxhetin fillestar dhe që u korrigjuan në 326 miliardë lekë me rishikimin e tij në tetor, ul nivelin më tej të të ardhurave buxhetore edhe me 7 miliard lekë, duke e shpënë shifrën e të ardhurave në 319 miliardë lekë. Praktikisht ky veprim rezultoi me rritjen e deficitit buxhetor në 81,6 miliardë lekë nga 50 miliardë që u programuan në fillim apo 74 miliardë që u korrigjua buxheti në tetor" tha Meksi.

Sipas saj ka mungesë të transparencës qeveritare se të ardhurat buxhetore si 11 mujor (janar-nëntor 2009) janë rritur sa është rritja e çmimeve pra me 102.2 për qind.

Kjo shifër sipas saj përgënjeshtron propagandën qeveritare për rritje ekonomike, sepse sipas këtyre të dhënave ajo, rritja ekonomike rezulton zero.

"Ne sqarojmë se arsyet e rritjes së të ardhurave janë rritja ekonomike dhe lufta kundër informalitetit. Për këtë të dytën nëse do kishte ndonjë të dhënë sado pozitive atëherë rritje ekonomike si 11 mujor duhej të jetë në rënie, sepse për rritje këto të dhëna nuk bëjnë fjalë. Shifrat janë kokëforta dhe nuk lënë vend për spekulim megjithë ndryshimet aspak serioze që kjo qeveri u bën në mënyrë të papërgjegjshme shifrave të PPB.

Ju bëjmë me dijeni se së fundi, në një dokument për kuadrin makroekonomik, qeveria në mbledhjen e saj të datës 7 janar ( botuar në gazetën zyrtare të 19 janarit 2010), parashikon jo vetëm uljen e PPB (në nivelin e 1143 miliard lekë), por në të vërejmë me shqetësim se ndërsa në aktin normativ të 31 dhjetorit, ajo ka parashikuar një nivel të ardhurash prej 319 miliardë lekë për 2009 dhe deficiti prej 81,6 miliard, ,disa ditë më vonë pra në 7 janar,qeveria parashikon një nivel tjetër të pritshëm për të ardhurat buxhetore prej 301 miliardë lekë, pa sqaruar se ku do arrijë deficiti" tha më tej Meksi.

Meksi shtoi gjithashtu se PS mendon se roli i qeverisë është të parashikojë dhe për rrjedhojë zvogëlojë efektet e padëshiruara në ekonomi, për këtë janë specialistët dhe institucionet e saj në të kundërt ajo ka dështuar e duhet larguar për të mos na sjellë me plagë e kriza të reja.

"Prandaj PS apelon, për nevojën urgjente të rishikimit të buxhetit të 2010 në mënyrë që vendi mos shkasë në katastrofën e pakthyeshme të borxheve që vijnë nga shpenzimet e papërballueshme, në kushtet kur vendi po ballafaqohet me këtë nivel të ardhurash që po ulet vazhdimisht" tha Meksi.

k.k/NOA

KOMENTE