English

Rusmali: Rama po bën të kundërtën e Rezolutës së KiE

Tiranë, 7 Shkurt NOA - Rezoluta që Këshilli i Evropës (KiE) miratoi para pak ditësh për Shqipërinë, ishte edhe një herë sot në qendër të vëmendjes së Partisë Demokratike e cila akuzon kreun socialist Rama se po e lexon në mënyrë abuzive atë rezolutë, Ilir Rusmali, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve doli në një konferencë për shtyp ku u ndal gjatë në mesazhin e Rezolutës së Asamblesë së KE që miratoi për Shqipërinë.

Rusmali tha se që në paragrafin e parë Rezoluta për Shqipërinë thekson se ky bojkot i zotit Rama i bën reformat e nevojshme shqiptare të pamundura.

"Rezoluta thekson se kjo situatë, situata e bojkotit dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tij për integrim evropian. Dhe ky është mesazhi i Asamblesë së KE", - tha Rusmali.

Sipas tij, Asambleja tregon që ndërmarrja e bojkotit ka dëmtuar seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore.

"Asambleja konfirmon faktin që bojkoti ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me vetë Asamblenë, sikurse i bën thirrje Partisë Socialiste që të heqë dorë nga bojkoti edhe në pikën kur i kërkon qeverisë që të krijojë një komisionin hetimor parlamentar. Edhe në këtë pikë Asambleja i kërkon zotit Rama dhe Partisë Socialiste, i kërkon me forcë opozitës të rikthehet në Parlament dhe të marrë pjesë në punimet", - vuri në dukje Rusmali.

Ai sqaroi se Asambleja Parlamentare e KE në Rezolutën e saj në asnjë rrethanë, në asnjë rresht në asnjë fjalë të saj nuk bën lidhje mes dialogut politik me kërcënimin për protesta. "Në asnjë rresht të saj në asnjë fjalë të saj, Rezoluta nuk ka mbështetur dhe nuk justifikon protestën dhe jo vetëm kaq, por Asambleja Parlamentare në Rezolutën e saj thotë se negociatat nëpërmjet Presidentit të Republikës duhet të synojnë rivendosjen e dialogut politik, por edhe t'i japë fund bojkotit të PS".

Në vijim të konferencës me gazetarë, Rusmali u pyet nëse e bën qëndrimi aktual i opozitës, të pamundur misionin e Presidentit për afrimin e palëve për një zgjidhje të mundshme?

"Rezoluta e Asamblesë, përcakton se cilat janë kushtet e negociatës, se cilat janë kushtet që duhet të respektojnë palët në dialogun e tyre politik. Ne si Parti Demokratike kemi deklaruar në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve që, PD është e gatshme ta zbatojë pikë për pikë këtë Rezolutë, me të gjithë përmbajtjen e vet. Ajo që nuk po shohim të ndodhë është ajo që duhej të vinte nga Partia Socialiste, nga z. Rama, i cili edhe pse rezoluta është shumë e rreptë me të, përpiqet ta paraqesë atë në të kundërtën e vet, ta paraqesë si mbështetje të bojkotit", - ishte përgjigjja e Rusmalit.

Kurse i pyetur a ka patur kontakt mes Partisë Demokratike dhe zotit Topi, sepse më parë duhet të negociojë me partitë pastaj duhet t'i ulë ata në tryezë, Rusmali ishte evaziv në përgjigjen e tij:

"Negociata është një çështje e Presidentit të Republikës. Ne, kur thashë që jemi të gatshëm të respektojmë pikë për pikë Rezolutën, e respektojmë dhe jemi shumë seriozë edhe në respektimi e kësaj pike. Kështu që unë besoj se pyetja nuk mund t'i drejtohet një përfaqësuesi të njërës palë politike; pyetja për negociata i drejtohet autorit, njeriut që merr përsipër negociatat".

Ndërsa pyetjes nëse ndërmjet partive a ka negociata, Rusmali i dha këtë përgjigje:

"Rezoluta ia ka kërkuar Presidentit të Republikës, dhe ne respektojmë Rezolutën. Rezoluta ka kërkuar kushtet, në te cilët duhet të zhvillohet ky dialog politik, dhe ne i pranojmë kushtet në të cilat duhet të zhvillohet ky dialog politik dhe ne i respektojmë ato. Unë besoj që ky mesazh është i mjaftueshëm për të treguar vullnetin e mirë politik të Partisë Demokratike. Antitezën me vullnetin që kërcënon me protesta, ju mund ta bëni vetë. e.r/NOA

KOMENTE