English

GND: Të forcohen përpjekjet për Veriun

Vjenë, 8 shkurt, NOA - Grupi Ndërkombëtar Drejtues mbështet domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit. Ky ka qenë qëndrimi i publikuar nga grupi i përbërë prej 25 vendeve të cilat e kanë njohur dhe përkrahur pavarësinë e Kosovës, pas takimit të mbajtur sot në Vjenë.

Anëtarët e këtij grupi e kanë cilësuar si sfidë kyçe integrimin e të gjitha komuniteteve, sidomos atij serb në Kosovë.

"GDN mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës, duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit", thuhet në komunikatën përkatëse. Duke u bërë më tej thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Serbinë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës. Nga ana e tij, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas takimit në Vjenë, se GDN-ja i ka dhënë mbështetje Kosovës për të gjitha proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi në fjalimin e tij para GND-së u shpreh se mungesa e ligjshmërisë në pjesën veriore i ka kushtuar shumë Kosovës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. "Ne jemi treguar të përmbajtur dhe do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në veprimet tona, por përfundimisht jemi të vendosur për rendin dhe ligjin në veri të Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Plani gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës", ka theksuar kryeministri Thaçi. n.e/NOA

KOMENTE