English

Kryeministri flet për gjetjen e eshtrave në malin e Dajtit

Tiranë, 8 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e cila po vazhdon, tha pak minuta më parë se në malin e Dajtit janë gjetur eshtrat e 19 personave që tha se janë viktima të regjimit komunist, të ekzekutuar në mënyrë masive dhe më tej groposur në varr të përbashkët.

Nuk mund të them për kohën e ekzekutimit, por e sigurt është se ata janë ekzekutuar me plumb pas koke, janë gjetur të gjitha kafkat me një vrimë plumbi", deklaroi Berisha.

Ai tha se do të bëhet një analizë e hollësishme dhe premtoi se do të bëhet identifikimi i eshtrave nëpërmjet ADN-së dhe të gjitha analizave të tjera.

Ndërsa paralajmëroi se do të kërkohet mbërritja e pajisjeve për të kryer kërkime të tjera për të gjetur eshtra eventuale në zonën e Dajtit.

Sipas tij, "ngritja e një task-force e cila të mund të gjejë trupat e të rënëve për liri dhe dinjitet njerëzor, për besimin te Zoti, besimin te vendi, besimin te vlerat, është i domosdoshëm".

Ai përmendi dhe faktin se merr shumë kërkesa nga qytetarët që duan të dijnë fatin e njerëzve të zhdukur në periudhën e regjimit komunist.

Në këtë pikë, Berisha përmendi ligjin e Lustracionit që tha se "në konflikt të plotë interesi u hodh poshtë", duke iu referuar vendimi të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ligjin e propozuar nga qeveria dhe miratuar nga parlamenti për verifikimin e figurës së zyrtarëve të ish-diktaturës komuniste.

Këtu Berisha foli dhe për nismën e referendumit, duke vlerësuar se do të ishte një opsion i vlefshëm përkundër rrëzimit të ligjit nga Kushtetuesja.

Po ashtu Berisha propozoi ngritjen e një instituti, i cili "synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarisë së regjimit komunist".

"Instituti ka gjithashtu të drejtën e dërgimit në prokurorinë e vendit, të materialeve të cilat faktojnë krimet e rënda, por nuk ka të drejtë as të ketë seksione prokurorie dhe as gjykate", - tha Berisha.

"Varri i përbashkët i zbuluar është një apel për shoqërinë shqiptare", theksoi Berisha dhe shtoi: "Nuk i ekzekutoi serbi dhe as pushtuesi, por ata i ekzekutoi regjimi i Enver Hoxhës, ndaj dhe ne duhet ta trajtojmë në mënyrë më serioze dhe më të vendosur këtë çështje, pasi në vendet e tjera ish-komuniste është bërë shumë më tepër për gjetjen e varrezave, për gjetjen e trupave".

Këtu Berisha shprehu keqardhjen për faktin se "nuk dihet ku prehen eshtrat e shumë njerëzve, intelektualë të cilët ekzekutoheshin vetëm e vetëm që Shqipëria të mbahej nën terror".

e.r/NOA

KOMENTE