English

Libra nga biblioteka e Kostallarit, shiten rrugëve nga bukinistët

Tiranë, 8 shkurt, NOA/ Nga Milena Selimi - Prej disa ditësh, janë vënë re të shiten në qarkullim në disa nga pikat e bukinistëve shqiptarë në Tiranë, vepra të çmuara nga biblioteka e profesor Androkli Kostallarit. Krejt rastësisht mund të blesh një libër të rëndësishëm, i cili të shitet për vetëm 200 lekë, ndërsa mbishkrimet dhe autografet brenda tij të tregojnë për një histori të vyer të dhuruesit të librit. Kështu, një vëllim me poezi nga Giuseppe Schiro (Di Maggio), poeti i njohur arbëresh, i dëgjuar kryesisht me mbiemrin Di Maggio mund ta blesh nga bukinistët e rrugës për një çmim deri në 200 lekë të reja.

Çudia dhe rastësia qëndron në shkrimin e bukur dhe plot elegancë të autorit, i cili ia dhuron këtë vëllim me poezi profesorit të nderuar të shqipes, Androkli Kostallarit. Të tjera vepra të profesorit të nderuar të gjuhësisë, ose të bibliotekës së tij mund t'i gjesh këto ditë në qarkullim në rrugët e Tiranës.

Bukinistët nuk të japin shpjegime se nga i kanë siguruar, ndërsa mohojnë faktin se është bërë një shitje e kësaj biblioteke të çmuar nga familjarët e tij.

Pamundësia, indiferencë, mosangazhim nga ana e institucioneve shtetërore si Akademia e Shkencave apo Institutit të Gjuhësisë? Indiferenca për këtë pasuri bibliotekare nga ana e institucioneve mund t'i ketë shtyrë trashëgimtarët e kësaj pasurie të vyer gjuhësore, letrare dhe autobiografike ta këmbejnë në një vlerë monetare.

Androkli Kostallari në vitin 1946 ishte kryeredaktor i gazetës "Bashkimi". Që kur ishte student nisi punën për hartimin e fjalorit Rusisht-Shqip, i cili u botua në vitin 1954. Pas kthimit në atdhe punoi në Institutin e Shkencave.

Kostallari ishte një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i Fjalorit të Gjuhës Shqipe.

I është dhënë titulli "Honoris Causa" nga Universiteti i Stokholmit, si dhe titulli "Mësues i Popullit", "Profesor" etj. Ka qenë anëtar i redaksisë së "Atllasit të Gjuhëve të Evropës".

Është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE