English

Miloshoski: Pse gjuhën maqedone po e bëjmë me detyrim për shqiptarët

Tiranë, 9 Shkurt NOA - Të gjithë qytetarët që kanë shtetësi maqedonase, pavarësisht kombësisë së tyre, duhet të mësojnë gjuhën zyrtare me detyrim. Këtë pohim ka bërë Antonio Miloshoski, ministër i Jashtëm në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke paralajmëruar kështu se qeveria e Shkupit nuk do të tërhiqet nga plani për të detyruar shqiptarët atje të mësojnë gjuhën maqedone në shkolla.

Miloshoski, pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin shqiptar Ilir Meta, i është përgjigjur disa pyetjeve, përgjigjet e të cilave i gjeni të zbardhura më poshtë.

Lidhur me temën më të nxehtë aktualisht në vendin fqinjë, ndonëse me doza të forta diplomatike, Miloshoski ishte i qartë kur tha se mësimi i gjuhës maqedone do të jetë taksativ dhe theksoi se nisma erdhi pas bisedimeve me evropianët.

"Në kontaktet tona me OSBE-në, kemi menduar dhe propozuar njëkohësisht që këtyre komuniteteve në shkollat tona dhe në qendrat tona arsimore, t'u krijohet mundësia për të mësuar edhe gjuhën shtetërore, gjuhën zyrtare të atij shteti. Kjo do të jetë dhe për të mirën e këtyre shtetasve, pra të qytetarëve që do të mësojnë gjuhën zyrtare të vendit ku jetojnë. Mësimi i gjuhës maqedone mendoj se do të ndikojë në atë që ne e mendojmë si krijimi i një shoqërie me mundësi të barabarta", - deklaroi z.Miloshoski.

Cilat janë projektet që kanë dy vendet fqinje aktualisht?

Ne kemi projekte të përbashkëta në disa fusha si në fushën e shëndetësisë, mjedisit, transportit, por megjithatë duhet të shpreh vullnetin se midis dy vendeve ekziston dëshira për të zgjeruar më tej këtë marrëdhënie edhe në fusha të tjera.

Unë mendoj se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira, dhe ne po punojmë aktivisht që këto marrëdhënie në një të ardhme të shpejtë të jenë të shkëlqyera.

Ka disa projekte kryesore kyçe ku ne duhet të thellojmë punën, dhe këtu vlen për t'u përmendur Korriori 8 në veçanti, por edhe projekte të tjera.

Gjithashtu mund të përmend edhe thellimin e bashkëpunimit tonë edhe në fushat ekonomiko-tregtare.

Gjithashtu, përsa i përket bashkëpunimit tonë, do të nxisim më tej krijimin e një kuadri më të mirë ligjor kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe të transportit. Ne do të inkurajojmë Ministritë përkatëse midis dy vendeve që të kenë kontakte me qëllim që të realizohet një objektiv i tillë.

Do të thoja që ne kemi mundësi për të eksploruar rrugë të tjera për të intensifikuar marrëdhëniet tona mjaft të mira në fushën e integrimit euro-atlantik.

Maqedonia dhe Shqipëria janë vende fqinje dhe mike. Ne kemi të njëjtat sfida dhe të njëjtat aspirata.

Si e konsideroni futjen e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj aktual? Po bashkëpunimin mes dy shteteve në lidhje me rajonin?

Do të doja që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka kontribuar në forcimin e stabilitetit të rajonit, por jo vetëm kaq por anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ka kontribuar në përfaqësimin më të lartë të rajonit tonë në organizmat ndërkombëtare.

Ndërkohë, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal si dhe për zhvillimin progresiv të rajonit tonë.

Por ne e kemi treguar veten tonë të aftë jo vetëm për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë, por këtë stabilitet e kemi transferuar edhe në rajonet e tjera të botës sikurse është rasti i Afganistanit ku të dy vendet kanë kontribuar me trupa ushtarake.

Maqedonia tashmë lëviz pa viza në BE, Shqipëria end ejo. Do ta mbështesni fqinjin në këtë drejtim?

Përsa i përket proçesit të integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave, duhet të pohojmë se Maqedonia ka arritje të mëdha. Por ne jemi gjithashtu të gatshëm dhe do të mbështesim proçesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Ndaj ne do të bashkëpunojmë shumë ngushë për të ndihmuar Shqipërinë që proçesi i liberalizimit të vizave të arrihet brenda vitit 2010.

Përsa i përket Maqedonisë, ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë që shoqëria jonë të jetë multi-etnike me një demokraci funksionale.

Si e komentoni planin e Shqipërisë për regjistrim popullsie mbi baza etniko-fetare, duke kujtuar këtu faktin se ka një minoritet maqedonas?

Unë u gëzova kur dëgjova që vitin e ardhshëm, në regjistrimin e popullsisë që do të bëhet, do të përfshihet edhe pohimi i vetë shtetasve shqiptarë, për sa i përket përkatësisë së tyre etnike dhe fetare.

Në këtë drejtim do të thoja që ky proçes do të ndihmonte edhe komunitetin maqedonas në Shqipëri me qëllim që ai të identifikojë veten e vet dhe të marrë pjesë sa më mirë në proçesin e demokratizimit të shoqërisë shqiptare.

Me z.Meta, a keni biseduar ju për shqetësimet lidhur me mësimin e gjuhës maqedone për fëmijët shqiptarë dhe pse kjo nuk bëhet edhe për mësimin e shqipes për fëmijët maqedonas atje ku ata janë pakicë në komuna shqiptare? Mos ndoshta kjo mund të shkaktojë premisa destabiliteti në Maqedoni dhe rajon?

Do të thoja që Maqedonia përbën një nga rastet e një tolerance të madhe për lejimin e mësimit të gjuhës amtare. Dhe në këtë drejtim, në qendrat tona arsimore të gjithë janë të lirë që të mësojnë gjuhën përkatëse.

Ndërkohë, në kontaktet tona me OSBE-në, kemi menduar dhe propozuar njëkohësisht që këtyre komuniteteve në shkollat tona dhe në qendrat tona arsimore, t'u krijohet mundësia për të mësuar edhe gjuhën shtetërore, gjuhën zyrtare të atij shteti. Kjo do të jetë dhe për të mirën e këtyre shtetasve, pra të qytetarëve që do të mësojnë gjuhën zyrtare të vendit ku jetojnë.

Mësimi i gjuhës maqedone mendoj se do të ndikojë në atë që ne e mendojmë si krijimi i një shoqërie me mundësi të barabarta.

Por ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin se në disa raste edhe projektet në fushën arsimore ndikohen nga debatet politike. Kështu që ne do të mundohemi së afërmi që këto debate politike të kanalizohen nëpërmjet dialogut institucional. Por unë do të shtoja që ne jemi të kënaqur me përfshirjen korrekte dhe aktive të partive shqiptare në Maqedoni në këtë drejtim

Sipas planit rregullues për qytetin e Shkupit ka pasur debate për heqjen e simboleve kulturore shqiptare?

Ju falënderoj shumë për këtë pyetje. Së pari dua të theksoj se kjo është një çështje që ka të bëjë me një bashki, ka të bëjë me një vendim sesi e planifikon ajo rregullimin e sheshit. Kjo ka të bëjë kryesisht me rindërtimin e objekteve të vjetra ekzistuese, godina e teatrit apo godina e gjykatës kushtetuese. Ky projekt ka vlera urbanistike dhe arkitekturale. Pra nuk ka të bëjë me çështjet etnike.

Dhe kur është fjala për zbatimin e filozofisë multikulturore në Maqedoni dua të përmend projektin e përfunduar vitin e kaluar, ku me mbështetjen e Qeverisë dhe Bashkisë së Shkupit u vendos ndërtimi i shtëpisë së lindjes dhe banimit të Nënë Terezës në qendër të kryeqytetit. Kjo mendoj se tregon aftësitë e Qeverisë maqedonase për të krijuar një respekt të ndërsjellë. E njëjta gjë ndodhi edhe disa vite më parë më vendosjen e monumentit të Skënderbeut ku ne patëm një tolerancë edhe nga komunitetet e tjera. Ne do të vazhdojmë të jemi kështu edhe në të ardhmen me njëri tjetrin.

FUND

KOMENTE