English

Dokumentat maqedonase Prishtinën e konsiderojnë Serbi

Shkup, 9 shkurt, NOA - Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni vazhdon lëshimin e dokumenteve, në të cilat Kosova vazhdon të konsiderohet si pjesë e Serbisë. Lëshimi i radhës është një çertifikatë e siguruar nga agjencia e lajmeve INA, në të cilin kryeqyteti Prishtina është shkruar se i takon Serbisë. Ruzhdi Ademi nga fshati Studeniçan i Shkupit për agjencinë "INA" ka shfaqur reagimin e tij, duke kërkuar urgjentisht të ndryshohet dokumenti i lëshuar për vajzën e tij të lindur në kryeqendrën kosovare Prishtinë.

"Apelojë që menjëherë të përmirësohet rasti i vajzës sime, sepse është jonormale të ndodhë një gjë e tillë me një shtet të pavarur, siç është Republika e Kosovës, ku ka lindur vajza ime. Kërkoj gjithashtu dokument të ri dhe MPB të kërkojë ndjesë për lëshimin e dokumenteve të tilla", ka theksuar Ruzhdi Ademi.

Në dokumentin e lëshuar nga Sekretariati i Punëve të Brendshme (SPB) në Shkup, theksohet se vajza e tij, Alea Ademi është lindur në Prishtinë, Serbi, ndërsa dokumenti i nënshkruar nga një zyrtare e lartë e MPB-së daton të jetë lëshuar në fund të vitit të kaluar. Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se është njoftuar me rastet e tilla dhe se pikërisht për këtë të gjitha institucioneve i është lëshuar një letër qarkore për të mos bërë lëshime të tilla.

"Qeveria e ka dërguar këtë letër si paralajmërim të fundit.

Në rast se edhe më tej përsëriten këto gabime, atëherë qeveria do të kërkojë përgjegjësi ndaj udhëheqësve të institucioneve", ka theksuar zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku, duke theksuar se ky rast daton nga viti i kaluar.

Janë shumë raste të tjera që vendbanimet e lindjes të Kosovës në dokumentet personale evidentohen si vendbanime në kuadër të shtetit serb. Këto lëshime po ndodhin edhe pas njohjes së pavarësisë së Kosovës në tetor të vitit të kaluar nga ana e Shkupit zyrtar.

NOA-INA

KOMENTE