English

Haiti, një djalë nxirret i gjallë nga rrënojat pas 27 ditësh

Porto Prince, 9 shkurt, NOA - Një djalë 28-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në kryeqytetin haitian Porto Prince, 27 ditë pas tërmetit që ra në Haiti më 12 janar. Lajmi bëhet i ditur nga kanali i CNN-it, sipas të cilit i mbijetuari, Evan Muncie, është dërguar në kushtet e një dehidratimi ekstrem, në një spital fushor drejtuar nga një ekip i mjekëve amerikanë nga njerëz që e kishin gjetur ndërsa rrëmonin me buldozer në rrënojat e një tregu.

I mbijetuari, i cili shiste oriz në treg, nuk kishte dëmtime serioze, por u shfaq në një gjendje konfuzioni mendor. Ai u tha mjekëve se në fillim kishte marrë rregullisht ujë, por nuk kuptohet qartë në çfarë kushtesh.

28-vjeçari i thatë dhe i dobësuar, nuk ishte në gjendje të thoshte më shumë.

Sipas familjes së tij, ai ka humbur të paktën 15 kg nga pesha normale e tij.

Mjekët nuk janë në gjendje të shpjegojnë dot për momentin se si ai mundi të mbijetonte aq gjatë.

Qeveria e Haitit ka shpallur të mbyllura përpjekjet për të kërkuar të mbijetuar që 23 janar, por njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat deri në 27 janar.

a.k/n.e/NOA

KOMENTE