English

Berisha kryeparlamentarit malazez: Faleminderit për Kosovën

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, gjatë të cilit të dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shprehën bindjen se projektet e përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendeve respektive, si dhe të rajonit në tërësi. Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke premtuar mbështetje edhe për anëtarësimin në NATO. Më tej, ai theksoi interesin dhe vëmendjen e tij të posaçme në forcimin e Malit të Zi si një shtet i pavarur i suksesshëm dhe me rol të rëndësishëm në rajon.

Berisha nuk harroi ta falënderojë kryetarin e parlamentit malazez edhe për rolin shumë të rëndësishëm e pozitiv të Malit të Zi në lidhje me Kosovën, si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë procesit të pavarësisë.

Nga ana e tij, Ranko Krivokapiç theksoi vlerat e përbashkëta morale dhe humanitare të të dy popujve, të shfaqura gjatë luftës, vendosmërinë e Malit të Zi për t'u distancuar nga politika e pastrimit etnik, të ndjekur në atë luftë si dhe politikën e stabilitetit dhe paqes, të ndjekur gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës, konkretizuar me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me Kosovën.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha renditi një sërë projektesh me interes të përbashkët në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjetikës, mbrojtjes së mjedisit etj.

Ai përmendi projektin e thellimit të lumit Buna, si një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin dhe ambientin.

Po ashtu edhe përmirësimin e pikës së përbashkët doganore për lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave.

Takimi u mbyll me sigurimet e përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.

n.e/NOA

KOMENTE