English

LSI: "Jo" propozimit për caktimin e 29 nëntorit si Dita e viktimave të komunizmit

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Propozimi i fundit i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi.

Një deklaratë e tillë ka mbërritur sot prej selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, përmes sekretarit për Marrëdhëniet Publike të kësaj partie, Luan Rama.

"Kjo pasi 29 nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist", e argumentoi ai këtë qëndrim të LSI-së.

"Duke mos e konsideruar atë propozim si qëndrim zyrtar të Partisë Demokratike, dua t'ju kujtoj deputetëve të rinj të PD se ka një ligj që nderon të gjitha viktimat në formën dhe në cilësinë e përndjekjes siç e parashikon ligji", tha më tej Luan Rama mbi këtë çështje.

Sipas tij, nëse do të duhet që për arsye më specifike të nderohen edhe me një datë tjetër këto viktima, të përcaktohet një datë homazhi apo një datë tjetër nderimi dhe memorie, kjo nuk mund të jetë zgjidhje.

Por kjo sipas Ramës duhet të jetë produkt diskutimi edhe me përfshirjen e institucioneve që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e të përndjekurve politikë, në mënyrë që gjithçka të jetë në respekt të sakrificës dhe dhimbjes së të gjithëve.

n.e/NOA

KOMENTE