English

Maqedonasit synojnë uljen e përqindjes së shqiptarëve

Tiranë, 11 shkurt, NOA - Një vit para regjistrimit të popullsisë të caktuar për në 2011 janë shfaqur edhe mundësitë e manipulimit, përmes mekanizmave në Entin Shtetëror të Statistikave (ESHS), ku shqiptarët janë jashtë loje, apo edhe nëpërmjet aplikimit të kushteve që regjistrimi i qytetarëve rezident të jetë i vlefshëm me posedimin e dokumenteve të reja biometrike. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni që do të zhvillohet vitin e ardhshëm po shton sinjalet për manipulimet e mundshme institucionale që mund të bëhen nga ana e institucioneve përgjegjëse. Alarmi është dhënë nga specialistë demografë si dhe personalitete politike shqiptare, të cilët në rast se evidentohen skenarë të tilla, paralajmërojnë bojkotin si rrugë të vetme për të bllokuar këtë strategji.

Letërnjoftimet e reja dhe pasaportat biometrike janë elementet e manipulimit, për shkak se siç bëhet e ditur ato do të jenë dokumente bazë për tu evidentuar në listën e regjistrimit. Enti Shtetëror i Statistikave disa muaj para regjistrimit do të publikojë edhe kushtet lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në regjistrim, ku do të jenë pikërisht kërkesat strikte që të posedohen dokumente valide me një afat të shkurtër të precizuar kohor për qytetarët rezident dhe që janë të pranishëm në vend në ditën e regjistrimit.

Dilemat shtohen edhe më tutje se në sistemin bazë të grumbullimit të të dhënave dhe në sistemin kompjuterik pranë Entit Shtetëror Statistikor, ku nuk ka asnjë të punësuar shqiptarë. Problem për tu përfshirë në regjistrim sipas ekspertëve do të jenë qytetarët jorezident, shtetas të Maqedonisë, por me vendqëndrim në vendet e huaja.

Kësaj kategorie në bazë të ligjit për letërnjoftime, i është ndryshuar adresa e banimit, në rast se ai shtetas më shumë se një vit jeton dhe qëndron në ndonjë vend të jashtëm. Eksperti për çështje demografike, prof.dr. Asllan Selmani paralajmëron manipulimin që sipas tij mund të ndodhë në sistemin kompjuterik, ku nuk ka shqiptarë.

"Në këtë çështje duhet të kemi kujdes dhe të parapërgatitemi prej tani duke bërë presione për ndryshimin e kësaj strukture. Në Komisionin e regjistrimit patjetër duhet të kemi përfaqësues shqiptarë dhe ata të jenë profesionistë dhe jo analfabetë të kësaj lëmie, sepse ata anëtarë duhet të kontrollojnë të gjitha punët e regjistrimit në terren por edhe brenda Entit", ka theksuar profesori universitar Asllan Selmani.

Ai nuk përjashton faktin se numri i shqiptarëve do të dal më i madh se 25 për qind. "Përqindja do të jetë e lartë, për shkak se në shkollat fillore kemi afër 34 për qind shqiptarë dhe sigurisht kjo komponentë ka hyrë në strukturën e popullsisë së pjekur dhe pritet që gjatë regjistrimit kur do të ndodhë do të duhet të jetë më e madhe përqindja e shqiptarëve", ka nënvizuar Selmani, duke shtuar se migrimi i popullsisë jashtë vendit ndodhë edhe tek shqiptarët por edhe tek maqedonasit. Një nga emrat e njohur të skenës politike shqiptare, Naser Zyberi vlerëson për agjencinë e lajmeve INA se përfaqësues shumë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme tentojnë që përmes pasaportave dhe letrave të njoftimit biometrike të tregojnë se gjoja shqiptarët nuk janë mbi 25 për qind sa i paraqet regjistrimi".

Ata dëshirojnë që në njëfarë mënyre të bëjnë uljen e përqindjes kështu që regjistrimi do të jetë një shans për ata, një mundësi që të tentojnë të bëjnë reduktimin" u shpreh ai, duke shtuar se mund të imponohen skenarë që nëpërmjet rrugëve ligjore, që shmangin nga regjistrimi popullsinë jorezidente shqiptare, që është me vendqëndrim jashtë vendit.

Sipas tij, këto ndryshime që mund të ndodhin në aspektin ligjor mund të çojnë që shqiptarët të bojkotojnë regjistrimin. Sipas regjistrimeve të vitit 1994, 23 për qind e popullsisë ishte shqiptare, ndërkohë që nga regjistrimi i vitit 2002, numri i shqiptarëve u rrit edhe me 68 mijë, diku 25 për qind.

Regjistrimi i ardhshëm në vitin 2011 pritet të jap pasqyrën e qartë për përqindjen e shqiptarëve në vend. MPB për momentin në bazë të dhënies së dokumenteve të reja, po përllogaritë edhe shifrat e përafërta sa i përket numrit të popullsisë në Maqedoni.

NOA-INA

KOMENTE