English

Nënshkruhet marrëveshja për kartat e transportit ndërkombëtar

Tiranë, 11 shkurt, NOA - Procesi i integrimit të vendit kërkon dhe vendosjen e një baze ligjore sipas standardeve Europiane. Për këtë qëllim Ministria e Transporteve nënshkroi dje me Ministrinë e Ekologjisë, Energjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Detit të Republikës së Francës, marrëveshjen për kartat e punonjësve të transporteve, ose të njohur ndryshe kartat e tahografit dixhital.

Ministria e Transporteve sqaron se qëllimi i Marrëveshjes është prodhimi dhe shpërndarja e kartave dixhitale për drejtuesit e mjeteve, organeve të kontrollit në rrugë, ofiçinave të instalimit, kalibrimit dhe inpektimeve periodike të tahografit dixhital, si dhe kartave të kompanive të transportit.

"Pajisja me kartën e tahografit dixhital vjen si një detyrim i komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuar për Europën, për të gjithë shtetet anëtare të Marrëveshjes "Mbi punën e ekipeve të mjeteve në transportin ndërkombëtar rrugor "(AETR), në bazë të sëcilës, të gjithë transportuesit duhet të pajisen me kartat e tahografit dixhital deri në 16 qershor 2010, në të kundërt ata janë të penalizur në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarve", thuhet në njoftimin e ministrisë së Transporteve.

Sipas kësaj marrëveshje me kartat e tahografit dixhital do të pajisen të gjithë ata drejtues që drejtojnë mjete që janë futur në shërbim për herë të parë pas 1 maj 2006, dhe përkatësisht, mjetet e mallrave mbi 3.5 tonë dhe autobusët.

Për pajisjen me këtë model kartash është caktuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ndrësa, ministria sqaron se gjitha mjetet që aktualisht janë të pajisur me tahografin analog do të vazhdojnë të kryejnë aktivitetin e tyre normal,pa qenë nevoja të pajisen me tahograf dixhital, edhe pas datës 16 Qershor.

KOMENTE