English

Sa shumë nxehtë këto ditë në Brazil

Është kaq nxehtë këto ditë në Brazil saqë ndërsa në shumë vende të botës po shënohen viktima nga i ftohti i acartë, këtu në Rio De Zhanejro, njerëzit po vdesin nga vapa.

Autoritetet thonë se vala më e rëndë e nxehtësisë që ka kaplluar këto ditë Rio De Zhanejron në pesë dekadat e fundit, i ka kushtuar jetën të paktën 32 personave më të moshuar.

Sipas agjencisë meteorologjike Inmet, temperaturat e regjistruara në Rio kanë qenë mbi 40 gradë Celsius nën hije.

"Vala aktuale e nxehtësisë në Rio konsiderohet si historike. Është ky shkurti më i nxehtë në pesë dekadat e fundit", deklaroi meteorologu, Giovanni Dolif. Të hënën dhe të martën, vala e nxehtësisë shkaktoi vdekjen e 32 personave më të moshuar në Santos, qytet afër Sao Paolos, raporton Express. Gjysma prej tyre kanë vdekur në shtëpitë e tyre, ndërsa gjysma tjetër në spitale, ku kishin shkuar për të kërkuar ndihmë. Vala e nxehtësisë e ka bërë Rion qytetin aktualisht më të nxehtë në botë. Temperatura e regjistruar të martën në Rio ishte 46.3 gradë Celsius dhe ishte më e lartë se ajo e regjistruar në shkretëtirën e Saharës. Për këtë valë të nxehtësisë është fajësuar El Nino, dukuria që pengon formacionet e ujit në Oqeanin Paqësor, pasi që po pamundëson zhvillimin e reve. Është paraparë që vala e nxehtësisë të vazhdojë edhe gjatë javës, kur në Rio do të fillojë karnavali tradicional që zgjatë katër ditë.

KOMENTE