English

Berisha uron Kryeministrin Thaçi, për Pavarësinë e Kosovës

Tiranë, 16 Shkurt NOA - Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha i ka dërguar një letër urimi Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e tij, të cilën më poshtë e gjeni të plotë, Kryeministri Berisha shprehet se "17 shkurti i vitit 2008 shënoi kurorëzimin e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve në Kosovë për liri e dinjitet".

Kurse konstaton se sot, "Kosova e re, e lirë dhe e pavarur, rrezaton paqe, siguri dhe stabilitet, jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë".

Sipas Berishës, "arritjet e mrekullueshme të këtyre dy viteve për ndërtimin e një shoqërie të lirë, ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë, pavarësisht nga përkatësia etnike, për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe për forcimin e zbatimin e ligjit dëshmojnë qartë se çfarë është në gjendje të bëjë një popull, që beson në lirinë dhe vlerat e veta. Kosova është shndërruar sot në faktor paqeje e stabiliteti në rajon".

Në letër, Berisha përmend dhe vizitën e fundit në Kosovë, ku i kujton Thaçit se "ne ndamë të njëjtin mendim se që nga 17 shkurti i vitit 2008 marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë futur në një fazë të re, intensive, krejtësisht të veçantë, në dobi të dyja vendeve tona, në interes të paqes, të sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal".

Ndërsa në përfundim, fton kryeministrin e Kosovës që të vizitojë së shpejti Shqipërinë.

I nderuar zoti Kryeministër,

Kremtimi i përvjetorit të dytë të ngjarjes me rëndësi historike për mbarë kombin, Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më jep rastin e lumtur, që, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, t'ju përcjell ju dhe, nëpërmjet jush, të gjithë popullit të Kosovës përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të mira e vëllazërore për përparimin e vazhdueshëm të shtetit më të ri të Europës, të lirë e demokratike, dhe për begatinë e qytetarëve të saj.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi kurorëzimin e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve në Kosovë për liri e dinjitet.

Sot, Kosova e re, e lirë dhe e pavarur, rrezaton paqe, siguri dhe stabilitet, jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë. Arritjet e mrekullueshme të këtyre dy viteve për ndërtimin e një shoqërie të lirë, ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë, pavarësisht nga përkatësia etnike, për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe për forcimin e zbatimin e ligjit dëshmojnë qartë se çfarë është në gjendje të bëjë një popull, që beson në lirinë dhe vlerat e veta. Kosova është shndërruar sot në faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Besimi në këto vlera dhe arritjet e kësaj periudhe kanë rritur mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë relevantë, si dhe i kanë siguruar Kosovës së lirë admirimin e tyre. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh vlerësimet dhe mirënjohjen time të thellë për kontributin Tuaj personal dhe të qeverisë Suaj, në konsolidimin e Pavarësisë së Kosovës dhe shndërrimin e saj në një faktor të rëndësishëm të paqes e të stabilitetit në rajon.

Gjatë vizitës sime të fundit në Kosovë, ne ndamë të njëjtin mendim se që nga 17 shkurti i vitit 2008 marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë futur në një fazë të re, intensive, krejtësisht të veçantë, në dobi të dyja vendeve tona, në interes të paqes, të sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal.

Në këtë jubile feste, më lejoni, i dashur zoti Kryeministër, t'ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi plotësisht të vendosur e të angazhuar që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, që ekzistojnë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të njohin zhvillime të reja pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej, në të gjitha fushat, në dobi të popujve tanë vëllezër, në shërbim të paqes e të stabilitetit, si dhe në funksion të realizimit të vizionit tonë të përbashkët, për integrim europian e euroatlantik, duke u shndërruar kështu në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërshtetëror në rajon e më gjerë.

Duke ju dërguar edhe një herë urimet më të përzemërta në ditëlindjen e dytë të kombit, shfrytëzoj rastin, t'ju ripohoj i dashur mik, dëshirën time për t'ju pritur së shpejti në Tiranë, si dhe sigurimet e konsideratës më ta lartë.

Juaji Përzemërsisht

SALI BERISHA

KOMENTE