English

Meta pret në takim zv/ministren e Punëve të Jashtme të Malit të Zi

Tiranë, 16 shkurt, NOA - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot në një takim kortezie zv/ministren e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Irena Radovič. Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime zyrtare të dikasterit të Jashtëm, duke shtuar se bashkëpunimi dypalësh, proceset integruese euro-atlantike si dhe zhvillimet ne rajon, ishin temat kryesore që u trajtuan në këtë takim. Meta dhe Radovič ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet mes të dy vendeve janë shumë të mira dhe shprehën vullnetin reciprok për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e energjetikës, infrastrukturës, turizmit, tregtisë, arsimit dhe kulturës, duke u fokusuar në projekte dhe investime të përbashkëta në këto sektorë.

Lidhur me pasurimin e kuadrit ligjor që rregullon bashkëpunimin mes dy vendeve, të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin e plotë për finalizimin sa më parë të marrëveshjeve në proces.

Meta rikonfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe vlerësoi ecurinë e procesit të integrimit të tij drejt anëtarësimit në BE dhe liberalizimin e vizave schengen.

Më tej, Meta dhe Radovič shkëmbyen mendime për situatën më të fundit në rajon si dhe vlerësuan bashkëpunimin dhe rolin konstruktiv të të dy vendeve për ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimit në rajon.

n.e/NOA

KOMENTE