Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Sejdiu: Kosova ka bërë maksimumin
English

Sejdiu: Kosova ka bërë maksimumin

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se Kosova për dy vjet të funksionimit si shtet ka bërë maksimumin e saj. Ai vlerëson se pritjet për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, kanë qenë më të mëdha, por se kjo gjë ka qenë e pamundur, edhe për shkak të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe për shkak të luftës diplomatike të Serbisë kundër njohjes së Kosovës.

Duket se Kosova është përballur me sfida të mëdha gjatë dy viteve të para të funksionimit të saj si e pavarur, kjo jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm.

Është normale. Çdo shtet në lindje, por edhe shtetet në zhvillim, kanë sfida të vazhdueshme dhe e njëjta rrugë është edhe ajo që ka përcjellë edhe zhvillimin e Kosovës. Duke pasur parasysh kohët e rënda që kemi kapërcyer, me kërcënim deri në zhbërje, unë them se Kosova gjatë këtyre dy viteve ka realizuar optimumin e projekteve që ka pasur, që të dëshmojë vetveten si një vend i qëndrueshëm, si një vend që është në kërkim të vazhdueshëm të ndërtimit dhe të funksionimit të demokracisë, si një vend që bën përpjekje që të ketë një qeverisje të mirë për qytetarët e vet. Natyrisht se këtë kohë, siç e thatë edhe ju, e përcjellin një varg problemesh ose rrethanash objektive me të cilat është përballur, duke u nisur nga ato që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, ato që kanë të bëjnë me përpjekjet për të destabilizuar vendin, sidomos investimet e vazhdueshme nga ana e Republikës së Serbisë.

Paralelisht mund të them se kjo mëpastaj do të kthehet në dimensione të tjera që kanë të bëjnë edhe me reflektimet ndërkombëtare që Kosova ka përjetuar dhe i ka në ambicie. E para, them se ka përjetime të mira, sepse i kemi siguruar 65 njohje, se i kemi hapur 21 misione diplomatike në nivel ambasadash, se jemi pranuar në Bankën Botërore dhe në FMN, dhe se kemi një trajtim dhe bashkëpunim të mirë, posaçërisht me vendet që kanë qenë mbështetëse të Republikës së Kosovës. Kemi marrë një rol të mirë edhe në partneritetin për paqe dhe stabilitet në rajon, duke pasur raporte të mira me fqinjët që kemi përreth.

Mund të them se pritjet tona për njohjen e Kosovës, kanë qenë më të mëdha, por kemi pasur edhe shumë pengesa. Serbia me aleatët e saj ka bërë një presion të vazhdueshëm te shumë vende për të ndalur ecjen e tyre në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Me vendosjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, ka pasur edhe disa vende që kanë thënë se kanë dashur të presin vendimin e gjykatës.

President Sejdiu, ka pasur disa vlerësime nga analistë të ndryshëm, edhe ndërkombëtarë, se Kosova nuk ka pasur një diplomaci "pro-aktive" në sigurimin e më shumë njohjeve. Është cituar ministri i jashtëm i Serbisë, të ketë pasur 700 orë fluturim me aeroplan brenda një viti...

Jo shikoni …tash mund të jenë analiza të kaheve të ndryshme. Kosova e ka bërë maksimumin e vet, megjithëse unë them se ka pasur mundësi më shumë. E dyta, ne duhet të kemi parasysh edhe rrethanat me të cilat përballemi ne. Është shumë e qartë se Serbia është anëtare e OKB-së dhe ka miq, do t'i quaja të traditës, dhe në këtë kuptim lëvizjet e tyre janë më të lehta. Por ka pasur edhe shpërthime pozitive, megjithë presionin e madh të Serbisë.

Unë marr vetëm dy shembuj të mirë. Portugalia si një vend anëtar i BE-së, merr vendim pikërisht në vigjilje të dërgimit të lëndës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare dhe nuk çan kokën për presionet që janë bërë nga ana e Serbisë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Kosovën e njohin edhe dy vende fqinje. Mali i zi dhe Republika e Maqedonisë, sikur kemi edhe suksese të tjera të Kosovës, siç ishin anëtarësimi në institucionet financiare ndërkombëtare. Gjykata mund ta ketë ngadalësuar procesin, por procesi i njohjeve nuk do të ndalet.

Zbatimi i kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës, integriteti territorial, ose le të themi ndryshe, integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, ka qenë i ngadalshëm?

Unë them se mund të bisedohet në të tria këto rrafshe që ju e shtruat problemin. E para, zbatimi i kushtetutës, ka probleme praktike, sidomos me pjesën e veriut. Çështja e integritetit të Kosovës, është e siguruar dhe nuk ka problem këtu, por ne mund ta shtrojmë nevojën e një efikasiteti të institucioneve të vendit dhe ndërkombëtare për të vënë rend dhe ligj në këtë pjesë. Dhe çështja e tretë është se çka mund të bëjmë ne, në kuptimin e integrimit. Është shumë e vërtetë se është miratuar një dokument që ka mbështetje ndërkombëtare dhe që është mjaft inkurajues. Unë them se ky dokument do të jetë një shans i mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

Unë e them se Kosova ka qasjen e vet për t'i integruar serbët, por jo për të vënë kontroll mbi ndjenjën e tyre shpirtërore, apo për t'i bërë qytetarë të rendit të dytë. Përkundrazi, Kosova është shumë e interesuar që këta njerëz, të trajtohen në mënyrë të barabartë, dhe t'u ofrohet shansi për të qenë kontribuues për proceset që na presin. Sigurisht se do të ketë edhe një përgjigje të drejtpërdrejtë për strukturat kriminale dhe udhëheqësit e tyre të cilët duhet të përballen me ligjin. Është mirë që këtij dokumenti i është dhënë mbështetje edhe në takimin e fundit të Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, që është mbajtur në Vjenë. KFOR-i, pavarësisht kufizimeve që po i bëjnë, është një garant i fuqishëm i integritetit të Kosovës.

Pak më herët përmendët rolin që ka pasur Beogradi edhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, por edhe në zhvillimet e brendshme. Para pak ditësh ka dalë edhe i ashtuquajturi 'plan strategjik' për integrimin e veriut. A ka ndonjë rrugë të mundshme të bisedimeve, të negociatave apo të takimeve me përfaqësues të Serbisë, të cilën po e shqyrton udhëheqja në Kosovë?

Unë them se janë tre-katër çështje që duhen trajtuar. E para, nuk është i 'ashtuquajturi plan strategjik', por është dokument i miratuar dhe dokument legal i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe them se është një shans i mirë për perspektivën e zhvillimit të proceseve që kanë të bëjnë me integrimin. Çështja e dytë, janë shenja jashtëzakonisht inkurajuese ato që i kemi gjetur kohëve të fundit, posaçërisht me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale, sidomos në tre komunat e reja të formuara, ku serbët janë pjesëmarrës aktivë dhe kanë marrë udhëheqjen në këto komuna. Mbetet zotimi ynë se do të shkojmë në proces në formimin edhe të dy komunave të mbetura.

Çështja e tretë është çështja e bisedimeve me Beogradin. E kemi thënë dhe e përsërisim se me Beogradin jemi të gatshëm të bisedojmë për të gjitha çështjet që janë me interes vital për të dy vendet, për të dy popujt, flas si tërësi nacionale, ndërsa asnjëherë nuk do të bisedojmë për çështje që kanë të bëjnë me statusin. Ideja e Beogradit është të rifillojë bisedimet, jam shumë i bindur se ata e dinë se nuk do të ketë rezultat nga përpjekja që kanë pasur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, sepse nuk do të marrin përgjigjen që ata e kanë dëshiruar, apo dëshirojnë ta imponojnë. E dyta, Beogradi do të bëjë përpjekje në kanale të tjera për të penguar zhvillimin e Kosovës, integrimin e saj në proceset e tjera aktive, sidomos në ato që kanë të bëjnë me lëvizje drejt Bashkimit Evropian, dhe pse Serbia vetë s'është ende anëtare e BE-së.

Dhe e treta, ne me Beogradin mund të bisedojmë për tema që janë praktike. Pse të mos bisedohet për atë pjesën e materies së planit të Ahtisaarit, pse të mos bisedohet për çështjen e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, pse të mos bisedohet për aspektet e bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjetikës apo në fusha të tjera, pse të mos bisedohet për parandalimin e krimit të organizuar, çështjet e trashëgimisë kulturore, të cilat ne jemi zotuar t'i zbatojmë, por jo asnjëherë që Beogradi të jetë tutor në të, por do të formohen komisione ndërqeveritare apo forma tjera të bashkëpunimit. Natyrisht se këto do të ishin në dobi të një procesi të relaksimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por e them dhe e përsëris edhe një herë se me Beogradin nuk mund të bisedohet në tema për çfarë ata kanë iluzione në kokën e tyre, për të pasur rolin hegjemon ndaj të tjerëve në Kosovë dhe në Evropën Juglindore, për të pasur rolin hegjemon në sjelljen e brendshme të njerëzve në Kosovë, por absolutisht ata s'mund të jenë padron i Kosovës.

President Sejdiu, në një intervistë para më shumë se dy vjetësh patët deklaruar se do të jeni presidenti i parë i shtetit të Kosovës. Pyetja ime është do të jeni presidenti i parë i Kosovës anëtare e Kombeve të Bashkuara?

Unë them se e kemi mbajtur fjalën dhe është një privilegj i veçantë që kam pasur si president, sikur edhe çdo qytetar i vendit, që të jetojmë në një kohë të përmbylljes së një cikli tepër të vështirë për Kosovën, për një ambicie apo aspiratë që e kemi pasur gjatë shekujve që të kemi shtetin e pavarur. Natyrisht edhe në këtë rast do të them se do të jetë një gëzim i madh për të gjithë që të përjetojmë momentin që shumë shpejt të jemi anëtar i OKB-së, për të qenë partner i mirë në procese të mëdha dhe them se sipas asaj që unë e kam të garantuar në kuptimin e mandatit kushtetues, besoj se do të jetë kohë që do të realizojmë edhe këtë ambicie nacionale.

Ka diçka që ju ka ngelur peng për këto dy vjet që nuk ka funksionuar, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?

Unë them se ka shumë çështje që mund të shikohen nga distanca dhe mund të bëhen edhe ndryshe. Ka çështje sigurisht në kuptimin e shtimit të efiçiencës në shpejtësinë e veprimeve të përgjithshme të institucioneve të vendit. Ndoshta duhet ta ngjeshim veprimtarinë tonë apo edhe kohezionin e përgjithshëm midis institucioneve, por them se një punë e veçantë do të jetë në politikat zhvillimore dhe kjo më tepër është pjesë e përgjegjësive të ekzekutivit. Unë them se ka mundësi që të bëjmë një propagandë më aktive në kuptimin e prezantimit të vullnetit që kemi dhe të garancioneve që kemi për të pasur investime të rëndësishme në Kosovë.

Përmendni politikat zhvillimore. Të dhënat zyrtare flasin se në Kosovë ka një rritje ekonomike prej 4-5 për qind. Kam përshtypjen, nëse nuk gaboj, se kjo nuk vërehet shumë te popullata?

Në të përditshmen nuk vërehet, sepse njerëzit që e përjetojnë rritjen bashkë me proceset, zakonisht nuk janë në gjendje ta shohin zhvillimin që ndodh. Por them se, nëse e shikojmë në distancë mendoj se është e mirë. Është shumë e mirë si tërësi e përbashkët nëse e shikojmë se ku kemi qenë dhe ku jemi sot, por nëse kemi para vetes problemet praktike, natyrisht se ka për të dëshiruar edhe më tepër.

A e ndjeni ju si president i vendit se po forcohet autoriteti i drejtuesve të Kosovës edhe në planin ndërkombëtar? Keni pasur vizitë kohëve të fundit në Turqi.

Mund të them se është një lëvizje e mirë, por në të njëjtën kohë i di edhe pengesat që kanë qenë, besoj se mund të jenë të qarta për shumë aspekte. Për ne është me rëndësi se Kosova dita-ditës është më shumë prezente edhe në axhendat ndërkombëtare, qoftë në tipin e tryezave, qoftë edhe në vizita shtetërore dhe besoj se në këtë pranverë do të kemi lëvizje edhe më të shumta.

Cilat do të jenë objektivat e shtetit të Kosovës në vitin e tretë?

Në vitin e tretë do të bëjmë shumë punë posaçërisht në përmbushjen e kritereve në liberalizimin e vizave, që kanë të bëjnë me joshje të investimeve të jashtme dhe që kanë të bëjnë posaçërisht në planin e brendshëm dhe sundimin e ligjit. Ajo që do të jetë funksionim i shtetit ligjor të funksionojë me kapacitete të mira. /bbc/

KOMENTE