English

Topi mesazh urimi Sejdiut me rastin e 2-vjetorit të Pavarësisë

Tiranë, 16 shkurt, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi me rastin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë, presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Me rastin e përvjetorit të dytë të Ditës së Pavarësisë, kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t'ju dërgoj Juve dhe gjithë popullit të Kosovës, urimet më të ngrohta dhe më miqësore", shkruhet ndër të tjera në këtë mesazh.

Më tej, Topi i ka shkruar homologut të tij se kjo ditë e gëzueshme për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, i jep atij rastin të rikonfirmojë vullnetin maksimal për vazhdimësinë dhe forcimin e lidhjeve të forta dhe qëndrueshme, shumëplanëshe, që ekzistojnë midis dy vendeve tona.

"Dua t'ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe realizimit të aspiratës euroatlantike", shkruan më tej Topi në mesazhin e tij.

Duke përfunduar se nënvizon me kënaqësi vlerësimin e lartë ndaj hapave të shpejtë e të sigurt të Kosovës në drejtim të konsolidimit të politikave të brendshme, krijimit të një shoqërie të barabartë e multietnike, zbatimit të ligjit e forcimit të shtetit të së drejtës dhe stabilitetit në vend, si dhe politikës rajonale dhe evropiane që Kosova po zbaton me përkushtim.

n.e/NOA

KOMENTE