English

Berisha: Shqipëria do bëjë çdo përpjekje për shtimin e njohjeve të Kosovës

Tiranë, 17 shkurt, NOA - "U premtoj qytetarëve kosovarë se Shqipëria nga ana e saj do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar brenda mundësive që ajo ka mbi njohjen e merituar të shtetit të ri në arenën ndërkombëtare, pa të cilin paqja në Ballkan nuk do të mund të arrihej kurrë".

Me të tilla fjalë, kryeministri Berisha ka përshëndetur ceremoninë e pritjes së organizuar nga ambasadori i Kosovës në Tiranë për personalitete të jetës politike dhe shoqërore shqiptare në mjediset e "Hotel Sheraton", me rastin e 2-vjetorit të pavarësisë së vendit të tij.

Më tej, Berisha tha se Shqipëria do të ndihmojë edhe për integrimin dhe të ardhmen e përbashkët evropiane të Kosovës drejt rrugës së anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

"Kosova është sot vendi i qytetarëve të lirë dhe ku banorët e etnive të ndryshme jetojnë më në harmoni se dekadat e fundit. Ky vend që po bën përpjekje të mëdha për një zhvillim pozitiv ekonomik dhe social", shtoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, kreu i qeverisë, Berisha.

Sipas tij, kosovarët me arritjen e pavarësisë së tyre, vërtetuan atë që tha senatori amerikan Xhon Kenedi, se "ëndrra nuk vdes kurrë".

n.e/NOA

KOMENTE