English

Dinosha: Raportet mes Shqipërisë e Malit të Zi, të shkëlqyera

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Ministri i Pakicave Kombëtare dhe i të Drejtave të Njeriut dhe njëkohësisht kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Z , Ferhat Dinosha i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe për këtë, sipas tij, një urë lidhëse janë shqiptarët që jetojnë atje. "Bashkëpunimi shtetëror ndërmjet dy vendeve është gjithnjë e më i mire dhe gjithnjë e më tepër po intensifikohet edhe bashkëpunimi ekonomik", deklaroi Dinosha, gjatë takimit të zhvilluar sot në Tiranë ndërmjet ministrave të Ekonomisë të Shqipërisë, Dritan Prifti dhe atij malazez, Branko Vujoviç.

Duke iu referuar rolit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, Dinosha vlerësoi faktin se Mali i Zi është shteti i parë që ka formuar një ministri për pakicat, ku sipas tij, në krye të saj vazhdimisht kanë qenë shqiptarët.

"Vetë prania ime këtu flet për atë që Mali i Zi ka bërë si investim në drejtim të forcimit të pozitës së pakicave e konkretisht të shqiptarëve, pasi konsiderohet specifike dhe ura e bashkëpunimit mes dy qeverive. Ai tha se, "shqiptarët në Mal të Zi janë një faktor i pakapërcyeshëm kur flitet për proceset demokratike dhe definitivisht përbëjnë një shtyllë relevante të të gjitha fazave kyçe të shtetit të ri të Malit të Zi".

"Shqiptarët përbëjnë 7% të popullsisë së këtushme, ndërsa në institucionet republikane apo edhe organet e tjera të shtetit është përfaqësuar vetëm 2% e tyre", përfundoi lidhur me një fakt të tillë, Dinosha.

n.e/NOA

KOMENTE