English

Prifti: Nuk ka ende një projekt për centralin bërthamor

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Pas vizitës në Itali, ku kryeministri Sali Berisha mori mbështetjen e vendit fqinj për ndërtimin e një centrali bërthamor, ministri i ekonomisë Dritan Prifti ka zbehur shpresat se do të ketë një projekt të shpejtë në këtë drejtim. Madje ai ka hedhur poshtë edhe zërat se centrali do të ndërtohet në Shkodër.

Sipas tij, nuk ka ende një ide të qartë për të konkretizuar këtë nisëm. Madje ky projekt edhe pse ka 3 vjet që debatohet është ende në fillesat e tij. "Nuk ka ende një projekt konkret për ndërtimin e centralit, as në Shkodër dhe as në ndonjë vend tjetër të Shqipërisë. Jemi ende në fazën e hartimit të kuadrit ligjor, i cili do të na çojë në realizimin e projektit në të ardhmen"- u shpreh Prifti. Por gjatë një dalje për shtyp, ministri ju përgjigj edhe interesit të gazetarëve, lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike që janë hasur ditët e fundit. Në kushtet kur gjendja hidrike është në nivelet më të mira të mundëshme, shumë zona të vendit vuajnë ndërprerje të energjisë. Ministri Prifti pranon situatën, por mohon që ato të jenë kufizime në bazë grafiku. Sipas tij ka ndërprerje që nisin nga 1 deri në 3 orë në ditë, por ato ndodhin si pasojë e defekteve sporadike të ndodhura në linja apo transformator.

Këto deklarata Prifti i bëri gjatë një takimi me ministrin e ekonomisë së Malit të Zi. Gjatë këtij takimi nuk është lënë pa përmendur nisma e kryeministrit Berisha, për të shndërruar Bunën në një lum të lundrueshëm. Sipas zyrtarëve, dy vendet janë në fazën e gjetjes së donatorëve për realizimin e këtij projekti.

r.l/NOA

KOMENTE