English


Sindikata e mësuesve: S'firmosim kontratën me MASH nëse rritet ngarkesa mësimore

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Sindikatat e pavarura të arsimit deklaruan të mërkurën se nuk do të firmosin kontratën kolektive me ministrinë e Arsimit, nëse ajo praktikon rritjen e ngarkesës mësimore për mësuesit. Sipas kryetarit të sindikatave qendrore të arsimit, Xhaferr Dobrusha, sapo është firmosur marrëveshja për hapjen e procesit të negocimit për Kontratën Kolektive të Punës dhe pika e parë e saj është ruajtja e standardeve që janë arritur në Kontratën Kolektive që është në fuqi.

"Kjo dispozitë është e vlefshme dhe për normat mësimore dhe ngarkesën javore apo vjetore të çdo mësuesi. Federata e Sindikatave të Arsimit dhe sindikata e pavarur e arsimit i garantojnë anëtarët e tyre se për këtë pikë nuk mund të ketë kthim prapa.

"Ne jemi duke negociuar me MASH për këtë çështje të ndjeshme dhe do të pranojmë të nënshkruajmë vetëm një Kontratë që aplikon ngarkesën mësimore që përkon me Kontratën Kolektive që është në fuqi, duke përjashtuar vetëm rastet abuzive që janë vërejtur në praktikën e deritanishme", u shpreh Dobrusha.

Përsa i takon shkurtimit të vendeve të punës në sektorin e arsimit, kreu i federatës së sindikatave të arsimit tha se nuk ka shkelje ligji por përfundim të kontratave mes tyre dhe MASH. Sipas Dobrushës, bazuar në Konventat Ndërkombëtare, në ligjin për Kodin e Punës dhe në Kontratën Kolektive të Punës të nivelit të parë, që së bashku përbëjnë kuadrin ligjor të marrëdhënieve të punës, nuk kemi të bëjmë me largime nga puna pasi kjo kategori punonjësish nuk i ka ato vende.

"Ky grup i të punësuarve për nevoja të përkohshme, me kontratë të përkohshme, për sistemin e MASH, me vendim qeverie ishte 2100 persona, ndërsa tani është rreth 700", u shpreh Dobrusha.

b.a/NOA

KOMENTE