English

Sot vizita e Dalai Lamës në SHBA, nesër takimi me Obamën

Uashington, 17 shkurt, NOA - Udhëheqësi shpirtëror i tibetanëve, Dalai Lama nis sot vizitën e tij të parashikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet që ai të takohet me presidentin amerikan, Barak Obama. Takimi në fjalë ka ngjallur zemërimin e Kinës, madje Pekini kërkoi nga Shtëpia e Bardhë të anulojë takimin me Dalai Lamën.

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë refuzuar kërkesën e Kinës për të anuluar takimin e parashikuar të mbahet ditën e nesërme, mes presidentit Barak Obama dhe liderit shpirtëror të Tibetit në ekzil, Dalai Lama.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, sipas të cilit takimi në fjalë, do të mbahet ashtu siç është planifikuar, pra, në datën 18 të këtij muaji.

Nga ana e saj, diplomacia kineze përmes përfaqësuesve të saj, vazhdimisht ditët e fundit ka dalë me deklarata publike kundër mbajtjes së një takimi të tillë, duke theksuar se ky takim do t'i dëmtojë më tej raportet tashmë të tensionuara ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Raportet amerikano-kineze janë përkeqësuar për shkak të shitjes së armëve Tajvanit nga ana e Uashingtonit, përplasjes së Kinës me kompaninë Google si dhe për mosmarrëveshjet mbi politikat tregtare e monetare.

n.e/NOA

KOMENTE