English


Topalli uron Krasniqin për Pavarësinë e Kosovës

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një letër dërguar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, uron gjithë popullin e Kosovës për dy vjetorin e Pavarësisë.

"Sot, ditëlindja e pavarësisë së Kosovës është një ditë e madhe për Kosovën, për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët në botë. Në këtë kremtim historik, kam kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm t'Ju uroj Ju dhe, nëpërmjet Jush, gjithë popullin e Kosovës, Qeverinë dhe institucionet e saj të pavarura, për dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë", ka deklaruar Topalli.

Ndër të tjera, kryetarja e Kuvendit vlerëson se pas dy vitesh Kosova është një faktor i rëndësishëm në rajon. "Në këtë dyvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, populli kosovar dhe ne të gjithë ndihemi krenarë për historinë tuaj të suksesit dhe të arritjeve

drejt forcimit të institucioneve dhe shtetit ligjor në Kosovë. Kosova sot është më e sigurt dhe faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes në rajon", shprehet Topalli. Ajo i garanton homologut Krasniqi, thellimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve, në funksion të përshpejtimit të integrimit europian të dy vendeve.

"Duke Ju dërguar edhe një herë urimet më të përzemërta për këtë ngjarje të madhe të historisë së kombit shqiptar, shpreh bindjen e plotë se njohja e mëtejshme e pavarësisë së Kosovës do të jetë prioritet i axhendës sime si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë", përfundon letra e urimit e kryeparlamentares Topalli.

xh/NOA

KOMENTE