English

Prifti-Idrac: Të rriten shkëmbimet me Francën

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Pala shqiptare dhe ajo franceze do të angazhohen për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës. Një fakt të tillë e ka bërë me dije ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti gjatë një takimi që pati me sekretaren e Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, Anne Marie Idrac.

Të dy zyrtarët e lartë kanë diskutuar mbi bashkëpunimin në të ardhmen në të gjithë sektorët kyç të ekonomisë.

Nga ana e saj, Idrac ka theksuar rëndësinë që i kushton Franca dinamikës evropiane të këtij vendi dhe ka shprehur mbështetjen e saj për rritjen e pranisë franceze në Shqipëri. Sekretarja franceze e Shtetit mori përsipër të nxisë organizimin e forumeve dhe seminareve për të njohur investitorët francezë me mundësitë që ofron Shqipëria për të bërë biznes.

Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin ekonomik me Francën, ministri i METE, Prifti tha se në një të ardhme të afërt do të rrisim marrëdhëniet midis Francës dhe Shqipërisë shumë më shumë, sepse mundësitë janë tepër të mëdha.

Ai njohu zyrtaren franceze për resurset e pafundme që ofron Shqipëria për të investuar në sektorin energjetik, më konkretisht në energjinë e rinovueshme, duke i bërë një ftesë të qartë sipërmarrësve franceze, nëpërmjet zyrtares së shtetit francez, që të shfrytëzojnë këto mundësi sa më parë.

Sipas tij, mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria në sektorin energjetik e bëjnë atë një vend tërheqës për investitorët e huaj.

Gjithashtu ministri u shpreh se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Francën mbeten akoma në nivele të limituara referuar mundësive potenciale të bashkëpunimit ekonomik bilateral.

Siç dihet, Franca ka mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit në strukturat e BE dhe NATO-s. Shqipëria numëron katër marrëveshje bilaterale të lidhura me Francën në fushën ekonomike.

Kompanitë franceze të cilat kanë investuar në Shqipëri janë: (Eurovia) në minierën e Bitumit (KLP e cila zotëron 51 % te aksioneve së bashku me një firmë shqiptare të ndërtimit të rrugëve, (Renault, Peugeot, L'Oréal, Eurovia), si dhe zyra përfaqësimi të firmave (Alcatel, Alstom, Scetauroute, SDMO), Banka Popullore etj.

"Shkëmbimet tregtare me Francën gjykohen në një nivel të ulët në raport me mundësitë që ekzistojnë. Tregtia me Francën në përgjithësi rezulton me një rritje kostante nga vitit në vit, me një rritje që për dy vitet e fundit tejkalon shifrën 30% në vit. Për vitin 2008 janë realizuar rreth 50,5 milionë euro, nga të cilat 42,7 milion euro janë importe dhe 7,8 milionë euro janë eksporte. Për vitin 2009 shkëmbimet rezultojnë me një rritje të lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për këtë periudhë janë realizuar rreth 62,5 milionë euro, nga të cilat 57,3 milionë euro janë importe, ndërkohë që eksportet rezultojnë në rënie. Shkëmbimet për këtë periudhë përbëjnë rreth 2,1 % të totalit të shkëmbimeve", tha ministri Prifti duke nënvizuar faktin se është koha që t'i jepet një shtysë e fortë bashkëpunimit më të madh tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve.

n.e/NOA

KOMENTE