English

Uilshire: Jo garanci për zgjidhje minuti

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Parlamentarët e Këshillit të Evropës janë optimistë në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe thonë se hapi i parë duhet të jetë kthimi i parlamentit në funksion të plotë. Bashkëraporteri për Shqipërinë, deputeti konservator britanik David Uilshire tha në një intervistë për BBC-në se ai ende priste të kishte vështirësi në zgjidhjen e krizës, por se ata ishin të gatshëm të ndihmonin në kapërcimin e problemeve. Ai tha se garancia për zgjidhjen e krizës do të vinte nëse partitë politike në Shqipëri do të kishin besim tek njera-tjera.

A jeni optimist se do të ketë një zgjidhje të krizës së shpejti?

-: Kam një optimizëm të arsyeshëm se ne do t'i shohim ata që të ndërmarrin hapin e parë, apo ndoshta dy-tre hapat e parë, drejt një zgjidhjeje të plotë, por nuk pres një zgjidhje të plotë që nesër në mëngjes.

Në Shqipëri komentohen shumë ato që ndërkombëtarët u thonë politikanëve shqiptarë lidhur me këtë çështje. Çfarë u thatë ju partive qeverisëse dhe të opozitës?

- Ne u kemi thënë atyre të njëjtën gjë. Në fillim ne i kemi dëgjuar ata, kemi dëgjuar shqetësimet e tyre dhe vështirësitë e tyre. Ne i thamë të gjithëve, në të gjitha takimet, se arsyeja pse ne jemi këtu është që t'i ndihmojmë ata që të kthehen në një parlament me funksionim të plotë.

A mendoni ju se me propozimet që keni bërë juve partitë do të mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre? Le t'ju kujtoj se partia e opozitës thotë se ajo mund të kthehet në parlament, por se ata duan një hetim të plotë të zgjedhjeve...

- Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Hapi i parë duhet të jetë që opozita të kthehet në parlament dhe deri sa të ndodhë kjo nuk shkohet gjëkundi. Dhe ne presim hapin e parë që opozita të kthehet në parlament. Nuk kam shumë dyshim se pas kësaj do të ketë vështirësi. Mendoj që ju do ta shihni se do të flisni me mua dhe kolegët e mi në Tiranë përsëri para se të kalojë shumë kohë.

A e konsideroni ju veten si garantues të mundshëm të një zgjidhjeje të krizës?

- Jo. Të jashtmit mund të ndihmojnë që të ketë lëvizje. Për ndryshimet, marrëveshjen dhe zbatimin e saj, garancitë duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë duke krijuar besim midis partive politike. Nëse kjo nuk ndodh, ne nga jashtë nuk mund të bëjmë gjë, por ne jemi të gatshëm që të ofrojmë ndihmë çdo herë.

Opozita shpreh dyshimin se nëse ajo shkon në parlament, mund të mos marrë atë që kërkon. A ju ka kërkuar opozita që ta garantoni se qeveria do t'u përmbahet premtimeve?

- Opozita nuk na kërkoi të garantonim asgjë. Askush nuk na kërkoi të jepnim garanci për asgjë. Kjo, sepse po të më ishte kërkuar nëse mund të garantoja diçka, përgjigja ime e thjeshtë do të kishte qenë "jo, nuk mundem!". Unë jam një i huaj në vendin e dikujt tjetër. Të vetmit që mund të japin garanci janë shqiptarët. Ne jemi këtu për të ofruar mbështetje, inkurajim e ndihmë, por zgjidhja gjendet brenda vendit dhe jo nga të huajt që vijnë këtu për t'u treguar njerëzve se çfarë duhet të bëjnë.

A jeni të inkurajuar nga sa keni dëgjuar gjatë ditëve të fundit nga politikanët shqiptarë?

- Mendoj se po. Nëse do të kisha ardhur këtu me mendimin për të gjetur një zgjidhje të plotë brenda një vizite, atëherë do të isha zhgënjyer. Por unë nuk u nisa për në Shqipëri me atë mendim. Unë erdha këtu për të parë nëse ne mund të ndihmonim që partitë politike shqiptare do të hidhnin hapin e parë drejt një zgjidhjeje të plotë. Dhe shpresoj se, sikur këtë bisedë ta zhvillonim pas një jave, unë do të kisha qenë në gjendja t'ju tregoja për hapat e hedhur. Por, sigurisht, që për gjetjen e një zgjidhjeje të plotë do të duhet kohë e gjatë.

Duke pasur parasysh kërkesat e opozitës dhe premtimet e qeverisë, cila mendoni se do të jetë zgjidhja e krizës? A do të hyjë opozita në parlament dhe parlamenti do të kryejë një hetim për zgjedhjet?

- Ndonjëherë më pëlqen të besoj në zgjuarsinë time, por nuk jam aq i zgjuar sa të parashikoj të ardhmen. Nuk e di se kur do të kemi një përgjigje. Ne duhet të hedhim disa hapa, por fatkeqësisht forma e zgjidhjes nuk është në dorën time. Dua t'ju them se shpresoj që zgjidhja e plotë, e çfarëdo forme të jetë, të çojë drejt funksionimit të mirë të demokracisë në Shqipëri.

Pra, ajo që ju po inkurajoni është që opozita të hyjë në parlament dhe atje të diskutojë për shqetësimet që ka?

- Po. Shpresoj që tani opozita do të shkojë në Parlament, gjë që do të ishte hapi i parë dhe do të shënonte njëfarë përparimi. Opozita do të përpiqej të diskutonte atje me qeverinë shqetësimet e veta. Nuk do të isha çuditur sikur ata ta kishin të vështirë e madje edhe të pamundur për të arritur një marrëveshje, por në atë moment ne do të ofronim të shkonim përsëri në Shqipëri për t'i ndihmuar në zgjidhjen e problemit tjetër. Nëse ndihmuam për kthimin e opozitës në parlament dhe shënuam përparim, atëherë nëse dalin probleme të tjera, ne do të shohim se si mund të ndihmojmë t'i zgjidhim edhe ata, e kështu me radhë. Pra, një përparim hap pas hapi, jo një zgjidhje e plotë brenda një minuti.

BBC

KOMENTE