English

Iraku, arritje apo makth i Obamës?

"Gjatë viteve kur Iraku ishte në qendër të politikës së jashtme amerikane, politikë-bërësit rregullisht kanë bërë të ditur se gjashtë muajt në vazhdim do të jenë vendimtarë për epilogun e luftës"

Nga "The Washington Post"

Sipas parashikimit, gjashtë muajt e ardhshëm do të vendosin, nëse Iraku nga zgjedhjet do të dalë si një vend demokratik në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend ku do të ketë dominim feja dhe lidhja me Iranin, ose një vend me konflikt sektesh fetare, dhe nëse në këto rrethana Obama do të mund të jetësojë tërheqjen e premtuar, shkruan Uashington Post. Iraku, ku Shtetet e Bashkuara kanë investuar 700 miliardë dollarë dhe ku më shumë se 4,300 ushtarë kanë humbur jetën përgjatë shtatë vitesh, nuk është më prioriteti kryesor për Uashingtonin. Gazeta në vazhdim citon ambasadorin amerikan, Kristofer Hill, të ketë thënë se zgjedhjet, që do të mbahen më 7 mars në Irak, do të përcaktojnë të ardhmen e këtij vendi, gjithashtu edhe marrëdhëniet e tij me SHBA-në. Edhe Obama ka pohuar se, "përgjegjësia e SHBA-ve është t'ua lërë Irakun njerëzve të tij", shkruan Uashington Post. Ky zotim do të thotë se në këtë pikë kthese që po kalon Iraku, trupat amerikane do të reduktohen në 50 mijë nga 98 mijë sa janë aktualisht. Obama, thuhet më tej në Uashington Post, ka theksuar se SHBA-të do të mbështesin zgjedhjet dhe do të vijojnë partneritetin me popullin irakian. Por, është e vështirë t'i shmangesh përshtypjes, që presidenti Obama, i cili e ndërtoi fushatën në kundërshti me luftën, të nënvleftësojë rëndësinë e madhe strategjike të Irakut dhe rrezikun e tranzicionit, pohon autori i shkrimit. Më tej gazeta citon ambasadorin amerikan Hill, i cili thotë se nëse kontratat e naftës së Irakut me kompanitë ndërkombëtare shkojnë mirë, atëherë Iraku do të bëhet prodhues i naftës i barabartë me Arabinë Saudite. "Nëse demokracia në Irak funksionon, atëherë kjo do të ketë ndikim shumë më të gjerë në Lindjen e Mesme", citon Uashington Post gjeneralin Odierno, i cili shton se "disa nuk duan që demokracia të ketë sukses për shkak të presionit që krijohet te qeveritë e tyre". Midis këtyre, së pari është Irani, që ka një strategji të thjeshtë për muajt në vijim. Strategjia, sipas autorit të shkrimit, është që t'i kthejë zgjedhjet në një betejë të ashpër fetare, me qëllim që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga aleatët e saj të ashpër shiitë. Udhëheqësi i agjentëve të Teheranit, thuhet në Uashington Post, është Ahmed Kalabi, një shiit, i cili në vitin 2002 influencoi që administrata e Bush të niste luftën. Tashmë, ai ka arritur që të eliminojë qindra kandidatë nga zgjedhjet, me arsyen false se i përkisnin partisë "Bath" të Sadam Hyseinit. Sulmi i tij nuk është vetëm mbi udhëheqësit sunitë, por dhe mbi nacionalistët laikë, shkruan Uashington Post, për të shtuar se suksesi eventual i aleancës së nacionalistëve laikë dhe sunitëve do të jetë triumf për demokracinë në Irak dhe një goditje për Iranin. Kalabi, shkruan Uashington Post, kërkon të bëhet kryeministër i ardhshëm i Irakut dhe kjo gjë mund të jetë një katastrofë jo vetëm për vendin, por edhe për Uashingtonin. Por, administrata Obama shpreson që një nga nacionalistët të dalë në krye dhe shpresa është te kryeministrin Nuri al Maliki. Sipas Uashington Post, procesi i formimit të qeverisë, që mund të marrë muaj të tërë, do të jetë periudha më kritike për ndikimin amerikan. Dhe, në fakt, Uashington Post thekson se, nëse në këta gjashtë muaj arrihet sukses në Irak, kjo do të jetë arritje amerikane me efekte afatgjata dhe e pakrahasueshme me asnjë sfidë tjetër që ajo ka jashtë vendit. Në të kundërtën, thotë autori i shkrimit, Uashingtoni do të zgjohet në një Irak, që sërish për të do të jetë një makth i pafund. /rfe/

KOMENTE