English

Protesta në Greqi, policia gaz lotsjellës

Athinë, 24 shkurt, NOA - Gaz lotsjellës ndaj protestuesve që kishin dalë në shesh për të kundërshtuar masat drastike të qeverisë mbi ekonominë dhe kursimet. Kjo ka qenë rruga që ka zgjedhur policia greke për të shpërndarë demonstruesit të cilët kishin dalë në shesh duke hedhur gurë në qendër të kryeqytetit. Sipas mediave vendase, dhuna zgjati rreth 30 minuta ndërsa të paktën dy vetë u ndaluan dhe disa dyqane u dhunuan.

Kjo është greva e parë e përgjithshme që nga ardhja në fuqi e qeverisë së qendrës së majtë dhe janë dy sindikatat më të mëdha të vendit, e sektorit privat dhe e atij publik, të cilat kundërshtojnë ashpër masat e qeverisë për kursime.

Këto të fundit parashikojnë ngrirjen e pagave, rritjen e taksave si dhe ngritjen e moshës së pensioni, pasi deficiti buxhetor ka arritur deri në nivelin prej 13 përqind të Prodhimit Kombëtar Bruto.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian i ka dhënë afat Greqisë deri në mes të muajit mars për të provuar nëse masat e saj do të japin efekt.

n.e/NOA

KOMENTE