English

Ekzekutohet me armë 58-vjeçari

Gjilan, 27 Shkurt NOA - Një person mbeti i vrarë dhe një i dytë u plagos rëndë si pasojë e një përplasjeje me armë zjarri që ndodhi sot në fshatin Pogragjë të Gjilanit, pas një konflikti mes fqinjësh.

Korrespondenti i agjencisë NOA, duke cituar burime policore lokale, informon se viktima është Sulejman Musliu, 58 vjeç ka mbetur i vrarë, kurse djali i tij rreth 30 vjeç ka marrë plagë nga armë zjarri.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia tha se është vënë në kërkim të 48-vjeçarit Q.B, me banim në Pogragjë të Gjilanit ku edhe ndodhi vrasja.

Policia e Gjilanit, tha se forcat e saj janë njoftuar nga ana e Spitalit Rajonal të Gjilanit se aty ishte sjellë një person i plagosur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Viktima menjëherë është transportuar për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Ndërkohë, njësitet patrulluese të stacionit policor të Gjilanit janë informuar se në rrugën që lidh fshatin Pogragjën me fshatin Sllubicë, fshatra të komunës së Gjilanit, gjendej edhe një person tjetër, po ashtu i lënduar si pasojë e qitjes me pistoletë ku në vendngjarje u gjetën tre gëzhoja të armës së kalibrit 9 mm.

Policia konstatoi se i plagosuri kishte gjetur vdekjen dhe zbardhi se ai ishte Sulejman Musliu kurse i lënduar që u gjend në spital, djali i tij.

Hetimet e lidhin ngjarjen me probleme që dy familjet kanë pasur mes tyre kohët e fundit, rrethanat dhe shkaqet e të cilave ende po hetohen.

a.b/NOA

KOMENTE