Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nisma 24 orë pa ne dhe në Greqi
English

Nisma "24 orë pa ne" dhe në Greqi

Athinë, 2 Mars NOA/Niko Anagnosti DW/NOA - Emigrantët e Greqisë u ftuan në ditën e parë të javës në "grevë të bardhë", pra as të punonin dhe as të konsumonin, duke treguar kështu se sa të vlefshëm janë. Ky ishte apeli të paktën i nismës "1 marsi-24 orë pa emigrantë".

Magda Kllavdianu është nga ato qytetare greke që vlerësimin për rolin e emigrantëve dhe cilësimin e tyre si "bashkëqytetarë" e ka bërë qëndrim jete.

Dy pasdite në javë lë çdo punë të saj dhe i ndan me kënaqësi me emigrantë të moshuar në një klasë në lagjen "Eksarhia", duke u mësuar falas gjuhën greke.

I pritshëm edhe reagimi i saj për ditën e sotme "1 marsi-24 orë pa emigrantë" ku emigrantët ftohen të bëjnë të ndjeshme prezencën me... mungesën e tyre. "Është një ditë e të gjithëve, një ditë e njerëzve," thotë për mesazhin e dyfishtë dhe jo të njëanshëm të kësaj dite ku "emigrantët duhet të kuptojnë se sa fuqi kanë".

"Kryesisht bashkatdhetarët e mi duhet të kuptojnë sa vlerë kanë emigrantët për gjithçka, jo vetëm për ekonominë por sidomos për kujdesin ndaj të moshuarve edhe fëmijëve," thotë dhe kujton rastin e familjes së saj me mirënjohje për "emigranten e shkolluar që i qëndroi në kokë gjyshes deri në fund të jetës së saj".

Emigrantët pjesë e shoqërisë greke

1 marsi si "grevë e bardhë" për emigrantët, që do të thotë se nuk shkojnë në punë dhe nuk bëjnë asnjë transaksion, shënohet për herë të parë në kalendarin grek. Inspiruesi i saj u bë një shqiptar i emigracionit, Niko Ago, që kujton me këtë rast se si një lëvizje e tillë nisi në vitin 2006 në Amerikë ku latinoamerikanët paralizuan qytete të tëra me mungesën e tyre dhe pas sulmeve raciste kundër emigrantëve në Rosarno të Italisë, vitin e kaluar, fillimisht emigrantët francezë dhe më pas ata italianë vendosën të shpallin 1 marsin si "ditën pa emigrantë".

"Ne mendojnë se 1 marsi sot do të japë të paktën mesazhin që emigrantët nuk janë thjesht pjesë e konsumit grek, por pjesë aktive e shoqërisë greke".

Dita e lodhshme që pati siç duket duke dashur të trokasë në sa më shumë "dyer" dhe ankthi që nuk mundi të punojë me më shumë sindikata e bëjnë më të dukshëm shqetësimin e tij për suksesin e lëvizjes. "Gjithsesi mendojmë se kemi hedhur farën e një lëvizjeje që për vitin që vjen, vitin 2011, do të shtrihet në të gjithë Evropën".

Si është Greqia pa emigrantët

Të njëjtin shqetësim ndan edhe drejtori i gazetës së majtë "Avgji" (Agimi) Nikos Filis, i cili lëvizjen e sotme e konsideron një sfidë në radhë të parë për emigrantët. "Në radhë të parë dua të shoh nëse emigrantët janë të gatshëm të dërgojnë këtë mesazh të domosdoshëm.

Ka sektorë të mëdhenj të ekonomisë, që bazohen tek emigrantët. Në qoftë se pra thonë se nuk punojmë do të duket qartë se sa të nevojshëm janë. Edhe shoqëria jonë do të kuptojë që këta njerëz janë shumë të dobishëm, të cilët disa i quajnë klandestinë, por nuk janë kurrsesi të tillë. Mund të jenë të padukshëm përsa u përket të drejtave të tyre, por janë shumë realë, të prekshëm. Vetëm duke i parë kështu mund të jetojmë më mirë si shoqëri," thotë Filis, i cili në vazhdim të bisedës ftohet të përfytyrojë bulevardin Panepistimiu apo rrugën tregtare Ermu, pa tregtarët klandestinë ambulantë aziatikë, Tregun Popullor afër sheshit Omonia pa shitësit shqiptarë dhe akoma natën e pistave athinase të argëtimit pa muzikantët dhe "valltaret e lindjes".

A mund të jetë kjo një surprizë e këndshme për ata që besojnë në rolin e tyre? "Do të jetë një befasim i këndshëm të shohim një Greqi ku emigrantët të mos veprojnë, të mos mbledhin portokallet, të mos kujdesen për të moshuarit dhe fëmijët tanë, të mos ndërtojnë, në këtë kuptim do të kemi vërtet një surprizë pozitive për vendin tonë," thotë Filis, duke shtuar se një ditë e tillë duhet të na bëjë të gjithë "më të urtë dhe njerëzorë".

Emigrantët, forcë e madhe ekonomike

Sot fjalën e parë e kanë roli dhe kontributi i emigrantëve, që edhe shifrat zyrtare thonë se zënë 10.2 % të fuqisë punëtore, rreth 3% të GDP-së dhe shpenzojnë 3.5 miliardë euro si konsumatorë. Dhe jo "shqetësimet" që sjellin, që një pjesë i amplifikon dhe i bën sirenë alarmi për të "zgjuar" shoqërinë e kërcënuar me tjetërsim. Ashtu siç ka vend optimizmi për pjesëmarrjen në nismën e sotme. Dhe jo skepticizmi apo interesi i ngushtë i një dite pune të "humbur".

Kujtim Vani: "Greqia pa emigrantë, e? As që diskutohet. Një ditë të tillë ne e kena pas si mendim që në kohën kur ishte afër përfundimit Olimpiada të mos shkonte asnjë në punë. Që ta provoshin se çfarë vlere kanë emigrantët në Greqi... Kam mendimin se shumë lokale do të mbyllen pasi shumica e personelit janë shqiptarë dhe të huaj të tjerë".

"Pjesa më e madhe e grekëve kanë mbresa emigrantësh, direkte ose indirekte të njerëzve të tyre, që kërkuan një vend në diell dhe u përballën me vështirësi," ishte apostrofa e presidentit grek Papulias, në mesazhin e tij të para disa ditëve nga Janina kufitare me Shqipërinë, që në përfundim të kësaj dite përfton një rëndësi të veçantë. Një gjë është e sigurt, një sukses i ditës së sotme do ta bënte mesazhin e tij më të fuqishëm dhe ditën më të bukur për të gjithë, të huaj dhe vendas.

KOMENTE