English

Universitetet, pasuri kombëtare

"Janë të shumtë studentët e diplomuar jashtë vendit, por edhe në universitetet tona, që jetojnë e punojnë me dinjitet në vende të ndryshme të botës. Unë jam i bindur që zhvillimi shoqëror dhe proceset integruese kërkojnë prej nesh që të ndërmarrim iniciativa që ata në një të ardhme të afërt, të kenë mundësi të kthehen dhe të integrohen. Vendi ka nevojë për kontributin e kualifikuar. Ne jemi të bindur se universitetet janë një pasuri e madhe kombëtare, infrastruktura arsimore e të cilëve duhet të modernizohet, duke patur si model vendet e Bashkimit Evropian, pse jo edhe duke forcuar karakterin e tyre publik, ku të kenë mundësi për të kontribuar edhe pushteti vendor, edhe institucionet financiare e komuniteti në përgjithësi".

Nga Bamir Topi*

"E kam pritur me kënaqësi të madhe ftesën për të ardhur në qytetin e arkitekturës unike, në qytetin e kujtesës, të kulturës e të punës. Ju përshëndes të gjithëve! Nga ky auditor i nderuar përshëndes mësuesit në të gjithë Shqipërinë dhe të visit ku flitet shqip. Gëzuar 7 marsin! Dhe me rastin e festës së 8 marsit kam një urim të vecantë për të gjitha gratë, nënat dhe motrat shqiptare!

Të qenit sot së bashku në Gjirokastër më gëzon pamasë. E kam dëshiruar më parë këtë takim me ju, të cilin impenjimet e natyrave të ndryshme e kanë shtyrë, sepse ju e dini dinamikën që ka jeta politike dhe institucionale, por ato nuk mund të më mbanin larg jush në prag të Festës së Mësuesit, pikërisht në Universitetin tuaj me emrin e këtij dijetari të shquar "Eqrem Çabej". Dua ta theksoj që në fillim të fjalës time që Eqerem Çabej ishte më i madhi dijetar e mësues i gjuhës shqipe. Ai kuptoi që tek gjuha gjendet gjithçka, krejt historia e një populli. Tek studimi i saj i thellë janë rrënjët e identitetit tonë. Nder përjetë këtij vigani të kulturës shqiptare!

Të dashur miq,

Në këtë prag feste vëmendja ime u shkon gjithë atyre mësuesve e pedagogëve patriotë e dijedashës, që na mësuan me gjëra të vyera, duke shënjuar jetën tonë. Pedagogët shqiptarë, mësuesit e të gjitha niveleve janë të denjë për nderimin më të madh, për respektin më të thellë.

Sigurisht, përfitoj nga ky rast i privilegjuar t'u përcjell përshëndetjet më të ngrohta të gjithë mësuesve e pedagogëve gjirokastritë, atyre që e ushtrojnë profesionin e atyre që janë në pension, të cilët me punën e pakursyer, u kanë dhënë kaq shumë qytetit dhe Shqipërisë. Ata duhet të jenë krenarë se nxënësit e tyre janë bërë pjesë e emblemës së kulturës shqiptare e të vetëdijes kombëtare.

E zgjodha këtë universitet, për rolin e veçantë që ai ka në arsenalin arsimor shqiptar, me prirjen e tij kryesore për të përgatitur mësues. Misioni fisnik i mësuesit sot merr një rëndësi të veçantë, sepse ata po përgatisin "Evropianët e rinj" shqiptarë. Prandaj formimi juaj duhet të jetë domosdoshmërisht i nivelit bashkëkohor e konkurues, për të edukuar qytetarët e ardhshëm të një Shqipërie evropiane.

Në këtë vatër të konsoliduar të dijes përgatiten mësues për të gjitha lëndët, duke filluar nga gjuha e letërsia shqipe, deri tek gjuhët e huaja e shkencat natyrore. Po kështu nga këto auditorë, dalin edhe arsimtarë e edukatorë për ciklin parashkollor dhe atë të ulët. Të jeni të sigurtë që secili prej jush, me punën e tij do të lerë gjurmën e pashlyeshme të dijes në kujtesën e nxënësve që do edukoni. Edhe sot e kësaj dite gjithsecili prej nesh, më të moshuarit apo fëmijët tanë kujtojnë me respekt e nderim mësuesit e fillores, sepse ata në kujtesën tonë janë udhërrëfyesit, që na futën në rrugët e kuriozitetit dhe dijes.

Nga Universiteti juaj në përgjithësi dalin edhe arsimtarët e shkollave të minoritetit, dhe unë dua t'i përgëzoj këta studentë të sotëm e mësues të nesërm në veçanti, sepse ata janë ndërlidhësit më të mirë midis kulturave tona të vjetra, janë punëtorët e devotshëm të harmonisë e bashkëjetesës etnike, të miqësisë historike ndërmjet popujve tanë.

Shteti shqiptar është i angazhuar që minoritetet të trajtohen sipas gjitha normave dhe standarteve më të mira europiane, e natyrshëm, shkolla dhe mësuesit janë dhe duhet të jenë edhe në të ardhmen, përçuesit më të mirë të këtij realiteti në të cilin çdo qytetar të ketë të drejta dhe shanse të barabarta ku secili ta ndiejë Shqipërinë atdhe të përbashkët.

Të dashur studentë,

Ajo që dua t'ju them sot ju dhe gjithë studentëve të mbarë Shqipërisë, edhe atyre studentëve që studiojnë nëpër botë, është një gjë shumë e thjeshtë, por e vërtetë, që na vjen nga përvoja:

Të studiosh është shpesh e vështirë për arsye rrethanash e vullneti, por studimi dhe dija, si asgjë tjetër përcaktojnë marrëdhënien që ju dëshironi të keni me të ardhmen, me ambiciet dhe ëndrrat tuaja.

Universiteti është dhe do të mbetet vend i ballafaqimit me tjetrin, me idetë e ndryshme e themelore të kuriozitetit njerëzor, është një vend në të cilin, më mirë se kudo tjetër mësohet bashkëjetesa, diskutimi dhe debati. Këtu thellohen konceptet e demokracisë dhe qytetarisë, të respektit ndaj ligjit, shtetit dhe shoqërisë si dhe vendi ku sanksionohet vokacioni atdhetar e evropian. Pa studimin dhe dijen nuk do të kishim as liri, as demokraci.

Ekziston një lidhje jetësore ndërmjet lirisë, kulturës dhe të ardhmes. Koha është dëshmitare e këtij fakti.

Siç e dimë, janë të shumtë studentët e diplomuar jashtë vendit, por edhe në universitetet tona, që jetojnë e punojnë me dinjitet në vende të ndryshme të botës. Unë jam i bindur që zhvillimi shoqëror dhe proceset integruese kërkojnë prej nesh që të ndërmarrim iniciativa që ata në një të ardhme të afërt, të kenë mundësi të kthehen dhe të integrohen. Vendi ka nevojë për kontributin e kualifikuar.

Ne jemi të bindur se universitetet janë një pasuri e madhe kombëtare, infrastruktura arsimore e të cilëve duhet të modernizohet, duke patur si model vendet e Bashkimit Evropian, pse jo edhe duke forcuar karakterin e tyre publik, ku të kenë mundësi për të kontribuar edhe pushteti vendor, edhe institucionet financiare e komuniteti në përgjithësi.

Të dashur qytetarë të Gjirokastrës, të nderuar pjesëmarrës!

Ndër shekuj ky qytet e ka marrë formën dhe famën që ka sot, në sajë të paraardhësve tuaj, stërgjyshërve, gjyshërve dhe etërve tuaj dhe të gjithë jemi krenarë që Gjirokastra është konsideruar pasuri botërore, e certifikuar nga UNESCO-ja, por është detyra juaj, është detyra jonë, është detyra e institucioneve e për këtë iu bëj apel të gjitha institucioneve shtetërore lokale e qendrore, që kanë në ruajtje trashëgiminë materiale, qytetarëve të Gjirokastrës të mos lejojnë që kjo pasuri unike të dëmtohet, të tjetërsohet, jo thjesht për vlerën turistike, e cila do të vijë duke u rritur siç e dëshmon koha, por edhe për identitetin tonë qytetar. Çdo shtëpi gjirokastrite është një pjesë autentike e historisë.

Kjo është Gjirokastra, që ne shohim me sy, por është edhe një tjetër po e tillë, është ajo e njerëzve të mëdhenj që aq shumë i kanë dhënë këtij kombi përgjatë historisë që nga Rilindja, me Koto Hoxhin apo luftrat për pavarësi, me Bajo e Çerciz Topullin, me poetin e rilindasin Andon Zako Çajupi, deri në ditët e sotme. Edhe në këtë qytet ka rrënjët e veta media përparimtare e demokratike, e cila zhvilloi aktivitetin e vet në rrethana të vështira për integritetin e vendit, mjafton të kujtojmë organe si "Demokratia" e "Neoshqiptarizma", por dhe elitën intelektuale që gravonte rreth tyre. Panteoni shqiptar do të ishte i gjymtuar pa kontributin e dijetarëve, gjuhëtarëve si Çabej të shkrimtarëve martirë si Musine Kokalari, të kulturologëve e përkthyesve të shumtë si Kokona, Fico, Selfo e Kasaruho etj.

Ky qytet është i njohur në të gjitha skajet e globit, ashtu si edhe Shqipëria, nga vepra e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës në të gjitha kohërat, për të cilin më 21 dhjetor të vitit 2008, pata kënqësinë që t'i drejtohesha Akademisë së Nobelit me këto fjalë "Shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet e tij dalluese. Në këtë sistem të mbyllur, shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi një letërsi evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin dhe kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar. Ndryshimet demokratike në vendin tonë, ndërtimi i demokracisë dhe integrimi në Evropë, zenë fill edhe tek vepra e Ismail Kadaresë, i cili mbështeti me kurajo lirinë kundër tiranisë, humanizmin kundër dhunës. Vepra dhe zëri i Ismail Kadaresë janë padyshim, pasuria më e madhe intelektuale, artistike e morale në botën shqiptare, si dhe vlera të çmuara të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të botës". E theksova këtë fakt, se një qytet me të tilla pasuri materiale, shpirtërore e qytetare, ka përgjegjësinë historike t'i konservojë këto vlera si dhe detyrën morale t'ua përcjellë brezave si identitet i patjetërsueshëm duke mbetur shembull i fuqisë krijuese në historinë e kombit dhe të vendit.

Edhe një herë gëzuar Festat!

Ju faleminderit.

* Fjala e mbajtur sot nga presidenti Topi gjatë një vizite në universitetin ‘Eqrem Çabej" të Gjirokastrës.

KOMENTE