English

Armando Duka rizgjidhet në krye të FSHF

Durrës, 9 mars, NOA - Federata Shqiptare e Futbollit ka sërish në krye të saj për një tjetër mandat, kryetarin aktual Armando Duka i cili fitoi thellë ndaj dy kandidatëve të tjerë në zgjedhjet që përfunduan pak çaste më parë.

"Kam filluar që tani të mendoj për detyrat që na presin, për problemet që ngriti kjo asamble", deklaroi Duka menjëherë pasi u shpall kryetar i rizgjedhur i FSHF për herë të tretë.

Duka falënderoi konkurrentët e tjerë Halili dhe Vata dhe tha se kritikat dhe sugjerimet e tyre për të ardhmen e futbollit do të inkuadrohen në programin e tij të punës.

Zgjedhjet u zhvilluan në hotel "Adriatik" në plazhin e Durrësit dhe mbledhja e Asamblesë së Federatës Shqiptare të Futbollit u kryesua nga Koço Kokëdhima.

Pas përfundimit të procesit të votimit u shpall se Armando Duka mori 49 vota, Refik Halili 15 vota dhe një votë të vetme, Rudi Vata.

Ndërkohë po vazhdon procesi i numërimit të votave në zgjedhjet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Rezultati pritet të shpallet në orët e pasdites.

Prej 8 vitesh, FSHF drejtohej nga Armand Duka dhe për katër vitet e ardhshme Duka do të jetë sërish në krye të saj.

Duka është i njohur për një debat të fortë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pasi nuk pranoi kurrë që të kontrollohen të ardhurat e FSHF madje ka arritur të bllokojë pa afat dhe aktivitetet e kombëtares Shqiptare të Futbollit përmes ankesave që ka dërguar në FIFA.

e.r/n.e/NOA

KOMENTE