English

Një shqiptare, zëdhënëse e Lega Nord

Toskanë, 9 mars, NOA - Eshtë vetëm 23-vjeç, por ka marrë mbi supe një përgjegjësi të madhe, atë të qenit zëdhënëse shtypi e një force të rëndësishme politike në Itali, siç është Lega Nord.

Bëhet fjalë për shqiptaren Edlira Mahmutaj, vajzën e një ish-emigranti të paligjshëm në shtetin fqinj, historia e së cilës ngjan me atë të shumë të rinjve shqiptarë në Itali, që janë përballur me një rrugë të vështirë drejt integrimit në shoqërinë e këtij vendi.

Lajmi i cituar nga mediat italiane, tregon sesi babai i Edlirës kohë më parë mbërriti në Itali si klandestin e më pas siguroi një qëndrim të rregullt atje, ndërsa ajo studioi në fakultetin e Gazetarisë dhe u punësua nga Lega Nord si zëdhënëse, gjë për të cilën duket se nuk e ka penguar aspak biografia "shqiptare".

Rasti i saj është komentuar nga mediat si një rast tipik i integrimit të një familje shqiptare në jetën italiane, duke dhënë shembullin më të mirë nga një vend që është përfolur shpesh për negativitetet e tij, sesa për vlerat dhe virtytet që mban.

"Lega Nord është një parti që nuk është raciste dhe i dëgjon njerëz si ne", pohon Edlira, e pyetur nga mediat italiane përse ka zgjedhur këtë rrugë.

"Unë dua t'u jap zë atyre njerëzve të cilët vijnë në Itali për t'u integruar dhe flasin gjuhën tonë", shton ajo ndër të tjera mbi misionin që ka marrë përsipër të kryejë.

Në fund, kjo vajzë e re shqiptare pohon se ka një ëndërr: Të bëhet një gazetare, për të qenë në gjendje të tregojë të vërtetat e të gjitha palëve.

n.e/NOA

KOMENTE