English

Tragjedia shqiptare në Maqedoni

"Integrimi i kësaj Maqedonie në NATO dhe BE do të shndërronte popullin shqiptar në popull apatrid (Me konventën e Nju Jorkut të 28 shtatorit 1954 në këtë kategori përfshihen personat që asnjë shtet nuk i konsideron si qytetarë të vet). Edhe pse autoritetet e Shkupit janë të vetëdijshme se shtetet që dëshirojnë të aderojnë në NATO dhe BE duhet të plotësojnë të gjitha kushtet në përputhje me synimet e këtyre institucioneve ndërkombëtare për liri, siguri, demokraci dhe vlera të përbashkëta ato vazhdojnë të funksionojnë mbi bazat e diskriminimit racial"

Nga Bardhyl Mahmuti*

Maqedonia, me praktikat e veta të diskriminimit është shteti ku më së shumti shkelen të drejtat e njeriut në Evropë ndërsa shqiptarët në këtë shtet paraqesin popullin më të diskriminuar dhe më të varfër të Evropës.

Fatkeqësisht, strategjia e përqendrimit të vëmendjes jashtë kontekstit të brendshëm të këtij shteti ka sjellë si rezultat kufizimin e kushteve për anëtarësimin e tij në NATO dhe BE vetëm në gjetjen e konsensusit me Greqinë për emrin e Maqedonisë .

Strategjia e njëjtë u trumbetua nga ministri i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski, edhe në takimin dyditor të ministrave për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Cordobë të Spanjës.

Bashkimi Demokratik Shqiptar në vazhdimësi është përpjekur që të sensibilizojë institucionet e demokracive perëndimore se mbështetja e Maqedonisë në integrimet euro-atlantike, pa hequr të gjitha format e diskriminimin që ky shtet aplikon ndaj shqiptarëve, është politikë miope dhe nuk i shërben as paqes dhe as sigurisë afatgjate të kësaj pjese të Ballkanit.

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë me arsyetim se gjoja ky shtet "ka plotësuar kushtet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit" nxori në shesh krimin politik, ekonomik dhe kulturor të Maqedonisë ndaj shqiptarëve që përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë së përgjithshme të këtij shteti.

Efektet bombë të fazës së parë të spastrimit etnik modern (e që ende vazhdon) nxorën në shesh realitetin tragjik në të cilin jetojnë shqiptarëve në Maqedoni dhe faktin se ky shtet është larg standardeve të demokracive perëndimore dhe funksionon në kundërshtim të plotë me vlerat euro-amerikane.

Të kapur në panik, qarqet antishqiptare në Shkup tentojnë të zhvendosin vëmendjen në pseudo probleme dhe të paraqesin viktimat e diskriminimit racial si viktima të manipulimeve nga ana e agjencive turistike!

Me qëllim të minimizimit të përmasave të kësaj situate dramatike, mjeshtrit e spekulimeve statistikore shpërndanë lajmin se rreth 90 % e popullsisë së Maqedonisë ende nuk ka dalë jashtë shtetit. Kjo nuk mund të fshehë faktin se 10 % e popullsisë së këtij shteti paraqet shifrën mbi 200 mijë njerëz dhe se shumica absolute e tyre janë shqiptarë.

Me të njëjtin qëllim të minimizimit të përmasave të vërteta të diskriminimit racial, autoritetet antishqiptare të Shkupit, përmes instrumenteve të tyre, tentojnë të përqendrojnë vëmendjen e opinionit publik vetëm në rajonin Likovës.

Është e vërtetë se shqiptarët e rajonit të Likovës dhe të malësisë së Sharrit ballafaqohen edhe me problemet që la pas lufta e vitit 2001. Por ky realitet i hidhur nuk mund të fshehë faktin se mbi 800 000 shqiptarë të Kumanovës me rrethinë, të Shkupit me rrethinë, të Tetovës me rrethinë , të Gostivarit me rrethinë, të Kërçovës me rrethinë, të Dibrës me rrethinë, të Strugës me rrethinë, të Ohrit me rrethinë, të Prespës me rrethinë, të Manastirit me rrethinë, të Dollnenit me rrethinë, të Prilepit me rrethinë jetojnë në kushte të diskriminimit ekstrem dhe në varfëri të skajshme.

Këtë diskriminim etnik dhe rajonal e konstatuan edhe eurodeputetët e parlamentit Evropian, të cilët që në vitin 2007, përmes rezolutës së 12 korrikut, i rekomanduan Maqedonisë që të ndërmarrë hapat e domosdoshme në përpilimin e politikave që do të hiqnin këtë diskriminim.

Fatkeqësisht apelet tona dhe rekomandimet e BE-së hasën në vesh të shurdhër!

Situata e krijuar pas fazës së parë të spastrimit etnik imponon rishikimin e qëndrimeve të autoriteteve të NATO-s dhe BE-së ndaj Maqedonisë.

Është momenti i fundit që t'u bëhet e qartë autoriteteve të Shkupit se gjetja e konsensusit me Greqinë për emrin e këtij shteti është vetëm një kusht e që lidhet me kriterin e heqjes së kontesteve me shtetet fqinje.

Kushtet kryesore të cilat duhet t'i imponohen Maqedonisë para hapjes së rrugës për në NATO dhe BE duhet të lidhen drejtpërsëdrejti me heqjen e diskriminimit racial që nga emërtimi i shtetit e deri te funksionimi i të gjitha institucionet shtetërore e publike në këtë shtet.

Pa heqjen e këtij diskriminimi ndaj shqiptarëve hapja e rrugës Maqedonisë drejt institucioneve euro-atlantike është hapje e rrugës për realizimin e fazës së dytë dhe përfundimtare të spastrimit etnik.

Partitë politike shqiptare të cilat mbështesin integrimin e kësaj Maqedonie në institucionet euro-atlantike, me vetëdije apo pa vetëdije, mbështesin tragjedinë e popullit shqiptar në Maqedoni.

Përballë rrezikut që na kanoset të shndërrohemi në popull apatrid të Evropës, forcat politike duhet të tregojnë konsensusin minimal që njëzëri t'i thuhet "Stop" Maqedonisë antishqiptare.

*Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar

KOMENTE