Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dita e verës, festime në të gjithë vendin
English

Dita e verës, festime në të gjithë vendin

Tiranë, 14 mars, Milena Selimi, NOA - Edhe këtë vit, kryeqyteti i Shqipërisë pati festime të mëdha për Ditën e Verës, përmes aktiviteteve të shumta që Bashkia e Tiranës kishte planifikuar në këtë ditë, duke iu bashkuar kështu festimeve në qytetet e tjera të vendit.

Dita e Verës ka të bëjë me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin që është duke u larguar. Kjo ditë është kthyer tashmë një festë mbarëkombëtare për të gjithë shqiptarët, në të gjitha viset mbarëshqiptare, festë që sjell gëzim dhe hare.

Që në mëngjes, kjo traditë e hershme, që simbolizon ardhjen e stinës së ngrohtë, ka mbushur të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit, me një larmi aktivitetesh të organizuara.

Festimet kane nisur rreth orës 10.00 me aktivitete të shumta ku në sheshin "Skënderbej", këngët dhe vallet e ansamblit "Tirana" kane çelur siparin e festimeve. Më pas, akrobatë dhe kllounë nga Cirku i Tiranës argëtuan fëmijët e pranishëm, ndërsa Banda e qytetit mbajti rrugëtimin, përgjatë gjithë bulevardit kryesor. Në zonën afër Piramidës, Teatri i Fëmijëve të Metropolit ka dhënë për të pranishmit shfaqjen "Në ballon e luleve", ndërsa në Sheshin "Skënderbej" janë vendosur gatimet tradicionale të gatuara nga amvisat, të cilat do tu ofrojnë këtë ushqim qytetarëve që do i vizitojnë.

Kompani të ndryshme ndërkohë kanë sjellë produktet e tyre dhe po zhvillojnë aktivitete të shumta me të pranishmit, duke u dhënë dhe dhurata. Galeria e Arteve, ishte sheshi ku performuan një grup prej 50 instrumentistësh, nën tingujt e muzikës klasike. Një repertor shumë i zgjedhur që nga Bethoveni e Vagner, me sonata dhe pjesë të mrekullueshme nga muzika klasike. Në këtë shesh janë dëgjuar edhe soprano të TKOB-së , të cilët kënduan muzikë dhe serenata shqiptare.

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" deri në orët e pasdrekës ishte kthyer në një panair argëtues, me kënde dhe streha ku nuk mungojnë, veroret, face paiting, si dhe xhaxhi piktori, sheqerkat dhe lojrat.

Koncerti me këngëtarët: Sinan Hoxha, Valbona Mema, Eranda Libohova, Blero, Blehona Qerreti, Soni, Sabjani dhe Çiljeta I dha më shumë gjallëri kësaj dite në kryeqytet.

Në mbrëmje "Makinat e dashurisë" do të jenë në Pallatin e Kongreseve. Një performancë nga kompania "Katakló", kompani italiane kërcimi që shkrin gjestet e kërcimit me gjimnastikën.

Artistët do të sjellin në një hyrje të lirë për të gjithë publikun një ekuilibër perfekt mes kërcimit,sportit dhe poetikës, në orën 19.30. "Love Machines", i dedikohet piktorit të njohur italian Leonardo Da Vinci. Interpretimi i tyre është një demonstrim si mund të vihet në ekuilibër kërcimi, sporti dhe poetika. Ansambli Popullor, sot në mbrëmje do të japë një koncert për Ditën e Verës, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, në orën 19.00, ku vijnë në një koncert me këngë dhe valleve të zgjedhura nga të gjitha trevat shqiptare solistët kryesorë si Irini Qiriako, Rexhep Çeliku, etj.

Festime nëpër rrethe

Elbasani, qyteti i origjinës së kësaj feste festoi edhe sot me koncerte në shesh, parade dhe karnavale, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të ardhurve nga rrethet e tjera të vendit. E veçanta e festimeve të Ditës së Verës këtë vit në Elbasan është pjesëmarrja e një grupi të njohur nga Amerika. "Mariachi Imperial de America", grupi më i mirë në Huston, Teksas dhe i njohur në programin televiziv "Mirëmëngjes Amerikë" vjen në Shqipëri për t'i prezantuar publikut shqiptar një përvojë të re kulturore.

Një gjini e muzikës meksikane, që kombinon traditën spanjolle me instrumentimin indigjen, Mariachi simbolizon diversitetin e përvojës kulturore amerikane. "Mariachi Imperial de America" do të japë koncert në datën 14 mars në qendër të qytetit të Elbasanit si pjesë e festimeve të Ditës së Verës. Ardhja e tyre në Shqipëri bëhet e mundur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Dita e Verës dhe Karnavalet janë festuar sot në sheshin e qytetit të Beratit, ku, me rastin e Ditës së Verës u organizua një paradë karnavalesh të nxënësve të shkollave të qytetit si dhe një koncert festiv kushtuar kësaj dite. Edhe Lezha ka festuar sot me koncerte nëpër sheshe. Një koncert prej tre orësh, me këngëtarë të njohur nga Lezha, por edhe të ftuar specialë nga Tirana, ngritën peshë zemrat e artdashësve lezhjanë. Pjesë e festës ishin dhe garat me biçikleta që u mbajtën në sheshin e qytetit.

m.s/NOA

KOMENTE