English

Meta: Majko nuk njeh as politikën e jashtme dhe as konceptet e saj

Tiranë, 15 Mars NOA - Ish-kryeministri Pandeli Majko as që e njeh politikën e jashtme dhe konceptet e saj, ndaj të flasësh për kritikat që ai bën mbi lëvizjet diplomatike të ministrisë së Jashtme është diçka e pavlerë. Me këtë dozë të fortë konstatimi për paaftësi, doli sot zëvendëskryeministri Ilir Meta që është dhe Ministër i Jashtëm, kur në një bisedë me gazetarë, u pyet si i komenton kritikat e z.Majko për vizitën e tij të sapopërfunduar në Serbi.

Natyrisht që unë mund të flas për njerëz që e njohin politikën e jashtme dhe që i kanë konceptet e saj", - tha Meta, duke nënkuptuar fare qartë se Majko nuk e njeh as politikën e jashtme dhe as konceptet e saj.

Zoti Meta, në konferencën që patët me Ministrin e Jashtëm, Jeremiç u dëgjua një gjë e re në lidhje me ekzistencën e minoritetit serb në Shqipëri. A është kjo një gjë e re edhe për Ju dhe si do të proçedohet me këtë pretendim të Serbisë? A mos është kjo dhe një tjetër çështje që ndikon në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë?

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, është një vend shumë demokratik dhe i standardeve evropiane. Lidhur me çështjen e pakicave ju e dini që ka patur disa probleme përsa i takon mënyrës se si janë quajtur ato, për arsye se në të kaluarën kishim Jugosllavinë, më pas kemi pasur Serbinë dhe Malin e Zi si subjekt pasues dhe sot janë disa vende të ndara.

Ne, pa marrë përsipër për t'u shprehur në emër të cilitdo jemi treguar të hapur dhe jemi të hapur për të realizuar regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, për ti dhënë mundësinë çdo qytetari të shqiptar, që jeton në Shqipëri që të shprehë edhe përkatësinë e tij etnike. Kjo është një gjë që është bërë shumë e qartë, sepse në të kaluarën kemi pasur një pakicë që është quajtur jugosllave, më pas është quajtur pakicë serbo-malazeze dhe më pas malazeze. Nuk është e drejta ime dhe e askujt që të përcaktojë identitetin kombëtar të çdo lloj pakice. Kjo do të bëhet përmes regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. Ne jemi të hapur në këtë drejtim dhe nuk mendoj se ky standard që Shqipëria ka vendosur, që është detyrim i stadit në të cilin ndodhet vendi ynë, të përbëjë ndonjë problem apo ndonjë shqetësim për cilindo.

Është folur më parë për një vizitë të Presidentit Tadiç në Tiranë, a keni folur ju për diçka të tillë gjatë takimit me të?

Z. Meta: Unë besoj se e vetmja rrugë që kemi përpara është rruga e bashkëpunimit, e vetmja filozofi që duhet të aplikojmë në raport me të gjithë vendet e rajonit është ajo e hapjes dhe integrimit, ndërsa për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve, natyrisht që ato do të kenë vështirësitë e tyre, por absolutisht që do të ecin përpara, sepse të dy vendet kanë një perspektivë të përbashkët që është perspektiva evropiane. Edhe çështjet për të cilat këto dy vende ndahen sot, pra statusi i Kosovës, përsëri në pikëpamje të kësaj perspektive të dy vendet e pranojnë që vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian. Shkëmbime vizitash do të ketë në vazhdimësi, në nivelet më të larta dhe natyrisht që Presidenti Tadiç është i mirëpritur të vizitojë Shqipërinë.

A ka diplomacia shqiptare një aksion për të vazhduar njohjen e shtetit të Kosovës nga vendet e tjetra?

Ky është një program i veçantë që vazhdon dhe nuk ka lidhje me këtë vizitë.

Sa do të ndihmojë përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë për konsolidimin e mëtejshëm të Kosovës si shtet?

Për ne është e rëndësishme të përmirësohet klima e bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve kudo në rajon. Shqipëria e ka bërë të qartë vullnetin e saj politik, besoj dhe Qeveria e Kosovës po bën të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Edhe angazhimi i Qeverisë sonë për të ndihmuar me disa projekte konkrete në disa komuna, siç është komuna e re e Graçanicës në Kosovë, që kryesisht banohet nga qytetarë serbë është tregues i këtij vullneti. Vizita e fundit në Preshevë dhe angazhimi i përbashkët me Qeverinë e Serbisë dhe me pushtetin vendor atje për të zhvilluar një frymë tjetër bashkëpunimi, por edhe projekte të përbashkëta, që e konsolidojnë bashkëjetesën atje, mendoj se të gjitha këto kanë impakte pozitive të drejtpërdrejta apo dhe të tërthorta .

Në kritikat që zoti Majko ka bërë për vizitën tuaj në Serbi ka qenë dhe ajo se gjatë takimit me Ministrin Jeremiç keni bërë që Kosova nga një çështje ndërkombëtare të kthehej në një çështje rajonale mes Serbisë dhe Shqipërisë. Si i përgjigjeni ju kësaj?

Natyrisht që unë mund të flas për njerëz që e njohin politikën e jashtme dhe që i kanë konceptet e saj. Më duket se është bërë e qartë në konferencën e shtypit, si nga ana ime, si nga ana e z. Jeremiç se për çështjen e Kosovës ndahemi në mënyrë shumë të qartë, për sa i takon njohjes së shtetit të ri. Absolutisht që thelbi i kësaj vizite ka qenë se pavarësisht ndarjeve thelbësore marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të përparojnë në interes reciprok, në interes të integrimit rajonal, në interes të integrimit evropian. Absolutisht e kemi thënë dhe e ritheksojmë se Kosova nuk është një çështje bilaterale mes Serbisë dhe Shqipërisë, sepse asnjëherë nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do jetë. Njëkohësisht do të ishte një hipokrizi e madhe po të thuhej se për këtë çështje nuk është diskutuar, sepse për këtë çështje ne diskutojmë me të gjithë, me ata që e pranojnë shtetin e Kosovës, me ata që kanë rezerva dhe me ata që nuk e pranojnë, kjo është detyra e diplomacisë. Kosova ka drejtuesit e saj, ka autoritetet e saj të cilët punojnë në këtë drejtim. Edhe Shqipëria ka angazhimet e saj të cilat i ka bërë publike dhe të cilat janë në harmoni të plotë dhe me ato objektiva që ka lidershipi i Kosovës.

FUND

KOMENTE