English

Meta shpjegon qëndrimin e tij dhe të Beogradit për pavarësinë e Kosovës

Tiranë, 15 Mars NOA - Qëndrimet e Shqipërisë dhe Serbisë për shpalljen e pavarësisë, janë dhe mbeten të ndryshme dhe nuk u eliminuan as gjatë kësaj vizite. Pohimi i Metës u bë sot në një konferencë shtypi, pas kthimit nga vizita zyrtare në Serbi. Meta tha se vizita ka treguar në mënyrë tepër të qartë se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë politikën e saj tepër konstruktive për bashkëpunimin rajonal, në dobi të paqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në funksion të përshpejtimit të integrimit Europian, pa paragjykime për askënd.

Duke u ndalur në pavarësinë e Kosovës, Meta tha se kjo është një çështje që dihet, për të cilën të dy vendet kanë qëndrime të ndryshme, të cilat, por ajo që është e rëndësishme nga mesazhi i kësaj vizite është pikërisht, se pavarësisht nga dallimet thelbësore në lidhje me statusin e Kosovës, Shqipëria dhe Serbia janë të vendosura të bashkëpunojnë për të zhvilluar marrëdhënie dypalëshe me interes reciprok, për të kontribuar së bashku në drejtim të integrimit Europian, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, në mënyrë të veçantë për të punuar për integrimin në Bashkimin Evropian sa më shpejt për të dy vendet, por edhe për të gjithë rajonin.

"Pavarësisht nga diferencat që ekzistojnë, që janë thelbësore për statusin e Kosovës, - tha Meta, - përsëri biem dakord që edhe e ardhmja e Kosovës do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, se Kosova duhet të marrë pjesë në të gjitha forumet rajonale, pavarësisht nga aspektet praktike që do të mundësonin këtë përfshirje dhe njëkohësisht është shumë e rëndësishme që të vazhdohet në kuadrin e angazhimit të përbashkët për të konvertuar në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit tonë dhe të rajonit, që edhe këto diferenca për këtë çështje të adresohen në mënyrë konstruktive dhe evropiane".

Meta tha më tej në daljen para gazetarëve se pjesa më e veçantë e kësaj vizite, e cila ka edhe një domethënie për vetë stadin e përmirësuar ku ndodhen marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, është pikërisht vizita që zhvilloi si Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Luginën e Preshevës.

"Takimet me autoritetet vendore të Preshevës dhe Bujanovcit, por dhe takimet spontane me qindra dhe mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës. Natyrisht, kjo vizitë në Preshevë, e cila është e para e një përfaqësuesi të lartë të Qeverisë Shqiptare, do të kishte qenë edhe më vështirë për t'u realizuar dhe për të qenë kaq e suksesshme pa pasur në konsideratë edhe këtë përmirësim të marrëdhënieve me Serbinë", - tha Meta.

e.r/NOA

KOMENTE