English

Fule nis turin, pasnesër në Shqipëri

Beograd, 17 mars, NOA - Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, do të nisë sot turin e tij të paralajmëruar në Ballkanin Perëndimor, ku pritet të diskutojë me autoritetet e vendeve përkatëse mbi premisat e integrimit europian të rajonit.

Bëhet me dijeni se ndalesa e tij e parë në kuadrin e këtij turi do të jetë Beogradi, ku pritet të takohet me presidentin serb, Boris Tadiç dhe kryeministrin Mirko Cventkoviç.

Më pas, komunikohet se Fule do të vazhdojë turin në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Konkretisht, në vendin tonë, ai do të mbërrijë pasnesër, pikërisht një ditë pas seances plenare të 18 marsit, e cila është përcaktuar si vendimtare për ecurinë e zhvillimeve politike në vendin tonë.

Para nisjes së tij në këtë turne, komisioneri i BE-së për Zgjerimin ka bërë të ditur se Ballkani Perëndimor është një prioritet në politikat e Bashkimit Europian dhe se Brukseli do të vazhdojë të mbështesë integrimin e rajonit në bllokun europian. n.e/NOA

KOMENTE