English

A mund të hapen kutitë?

A mund të hapen kutitë dhe të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve te 28 qershorit ? Të gjithë e dimë se kjo është fare e mundur. Kjo gjë është fare ligjore. Tërësisht Kushtetuese. Kjo nuk bie ndesh me asnjë ligj dhe jo vetëm që nuk e cënon shtetin ligjor por e konsolidon

Nga Agim Leka*

Do të dëshiroja që diskutimin e parë në këtë Sallë të nderuar ta kisha filluar jo me fjalët kuti votimi dhe transparencë të zgjedhjeve. Por sjellja politike e mazhorancës sonë, pas 28 qershorit, ma imponoi edhe këtë.

E pra që në nisje po shtroj pyetjen:

Pse ka frikë Sali Berisha nga hapja e kutive të votimit?

Kjo pyetje e ka përgjigjen e vërtetë pikërisht në kuti. Sepse në to është e vërteta e asaj masakre votuese që ka ndodhur më 28 qershor jo vetëm në fshatin Ruzhdije të Fierit, por edhe në qarkun e Elbasanit.

Kutitë e materialeve të votimit dhe kutitë e fletëve të votimit të qarkut të Elbasanit, në shumicën e tyre kanë brenda listat e dubluara të zgjedhësve, kanë brenda fletët e votimit me gjithë kundër fletët, kanë brenda fletët e "pavlefshme" të votimit, të cila "prodhoheshin" mu në sy të koordinatorëve të KQZ, të cilët me ndonjë përjashtim të vogël vazhdojnë të jenë militantë të PD. Numri i këtyre fletëve të "pavlefshme", rritej pikërisht në të gjitha ata QV në të cilat, PS është fituese. Këto kuti kanë brenda një numër të madh votuesish, të cilët as ua regjistronin nr e Kartës së Identitetit, ose nr e pasaportës se tyre.

Më vjen keq ta them, por nuk mund ta fsheh se një pjesë e madhe e zgjedhësve të Librazhdit, Gramshit, Elbasanit, Peqinit po e po, identifikoheshin politikisht si nominim partiak që kur dilnin foto dhe vinin gishtin për kartën e identitetit. Në shumicën e QV të votimit të fshatrave të qarkut, për një familje, ka firmosur një njeri. Ka firmosur dhe votuar për çdo emigrant.

Kutitë e votimi kanë të fshehur brenda tyre shkeljet që kanë bërë kryetarët e komuna përfaqësues të PD që në pajisjen me kartë identiteti të banorëve dhe me caktimin e vendvotimeve. Aty janë shkeljet e bëra me tenderët dhe me shpërdorimet e parave të taksapaguesve. Në kuti është çmimi i votës së blerë. Kishte dy çmime në Komunën e Labinotit mal. Një çmim më i ulët, për atë votues socialist që nuk shkonte të votonte. Dhe një çmim më i lartë për atë votues që votonte për PD.

Ndërsa në Funar kishte një vend pune në arsim ose në komunë si dhe roje private, në një firmë të një partie të vogël, pjesëtare pushtetit të sotëm

Ja pse duhet të hapen kutitë e votimit.

Kutitë duhet të hapen që zgjedhësve shqiptarë tu kthehet sovraniteti i tyre. Që ata ta ushtrojnë këtë sovranitet mbi qeverinë që ajo të qeverisë krejt më mirë dhe krejt në dobi të zgjedhësve. Ndryshe po vendosët të mos i hapni kutitë, dhe të mos bëjmë së bashku, transparencën e plotë të pakushtëzuar ne kemi injoruar "volonte generalen" e popullit. Dhe kemi mbrojtur karriget pushtetërore, ose qeveritare. Kjo nuk mund të jetë një alternativë e deputetëve të PS

Kutitë duhet të hapen jo për të sjellë socialistët në qeveri. Por për t'i dhënë fund një herë e mirë zgjedhjeve pa standard dhe për të bërë zgjedhje siç i bën bota demokratike perëndimore. Nuk mundet që ky Parlament i nderuar të gabojë dhe të bëhet pa dashje mbrojtës qoftë edhe disa pak njerëzve qe e kanë prishur standardin ose e pengojnë realizimin e tij. Mua nuk më emocionon fjala komisionier i PS apo komisionier i PD. Kjo nuk është një çështje individësh, qofshin edhe komisionierë, por një kauzë e madhe dhe një ideal fisnik.

Për këtë arsye madhore po i drejtohem Kryeministrit:

Zoti Kryeministër,

Ju duhet të bëni transparencën zgjedhore sipas projektit të PS sepse ju duhet ta keni kuptuar që është i vetmi rast ndonëse i vonuar që në Shqipëri ti jepet fund ekzistencës së "mafies elektorale". Ky entitet është një racë shumë e rrezikshme edhe për ju edhe për ne edhe për të gjithë shqiptarët. Ka shumë vjet që kjo racë njerëzish pa dallime partiake është bërë shumë e dëmshme për Shqipërinë. Edhe për ju ata janë si djajtë. Nuk ju lënë të gëzoni fitoren. Këta njerëz të shitshëm e të blershëm për çdo palë që u jep para jetojnë me mallin "krim elektoral".

Dy partitë PS dhe PD bënë një hap të madh para me sistemin zgjedhor. Ky sistem vetëm mbylli një derë të depërtimit të mafies elektorale. Bëni ju tashmë edhe një hap të fundit me transparencën zgjedhore dhe i bëjmë një shërbim të madh të gjithë shqiptarëve. Do të vijnë zgjedhjet e radhës dhe të dy krahët do të bëjnë më së fundit një betejë zgjedhore të ndershme dhe të çliruar nga entiteti mafioz zgjedhor që është po aq i rrezikshëm sa edhe ai kriminal.

Shqiptarëve po vazhdon tu kushtojë shumë shtrenjtë ruajta sekret e fletëve të tyre të votimit në kuti, ose shtetëzimi i fletëvotimeve nga KQZ.

Kostoja e parë është mosbesimi tek shteti. Është mosbesimi te njëri tjetri. Shqiptarët kanë shumë më se 20 vjet, që vazhdojnë të zhgënjehen nga qeveritarët e tyre. I kemi detyruar njerëzit e zakonshëm të konsumojnë një politikë të rëndomtë provinciale. Cilësia e jetës së njeriut të thjeshtë është dëmtuar shumë. Rinia në qytet e në fshat, gratë, nuk kanë një alternativë të vetme pune.

Është koha të kthejmë besimin se edhe në këtë vend mund të votohet, mund të jetohet dhe punohet njëlloj si në vendet e tjera fqinje, madje edhe më mirë. Kostoja e përditshme që po paguajnë të gjithë qytetarët e Shqipërisë është kriza e tyre ekonomike. Një pensionist apo një amvisë, pasi dëgjon Kryeministrin e vendit nga ekrani i TVSH, për mrekullinë ekonomike, i dridhet dora për një kafe, për ilaçet e tensionit; e zë frika nga çmimet e perimeve, se mishin as që mund ta blejë. Varfëria dhe analfabetizmi në fshat e sidomos në malësi janë rrënqethëse. As që mund të flasësh për bujqësi, sepse çmimet e imputeve janë të papërballueshme. Pyjet po priten deri në fund dhe qetësisht, ndërkohë po gjobiten dhe dërgohen në prokurori ca fshatarë për një barrë dru zjarri.

Listat e borxhlinjve në dyqanet e ushqimit janë të gjata sa s'ka. Vjedhja përmes faturave të dritave dhe të ujit është bërë një e keqe, që s'ke çfarë ti bësh. Presioni politik mbi biznesin është fare i dukshëm dhe i pandëshkueshëm. Politizimi i administratës dhe pushimet nga puna për bindje politike janë bërë normalitet!

A mund të hapen kutitë dhe të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve te 28 qershorit ? Të gjithë e dimë se kjo është fare e mundur. Kjo gjë është fare ligjore. Tërësisht Kushtetuese. Kjo nuk bie ndesh me asnjë ligj dhe jo vetëm që nuk e cënon shtetin ligjor por e konsolidon.

Kjo gjë arrihet nëqoftëse Parlamenti del nga kurthi i krizës ku është futur. Mazhoranca e këtij Parlamenti është futur në krizën e mendimit parlamentar. Nisma ligjore e PS kërkon një arsyetim jashtë dhe përtej paradigmave logjike dhe legale të deritashme: për shkak të.. vjen pasoja se, dhe pasoja bëhet një shkak i dytë e ...ligji nuk na lejon.. dhe për pasojë në zgjedhjet e ardhshme…standardi do të jetë....

Zonja kryetare Parlamentit,

Po ju kërkoj që pikërisht Ju ta shmangni këtë krizë mendimi determinist.

Së paku në këtë rast, futeni mendimin e Parlamentit shqiptar në hapësirën e vullnetit të popullit votues, dhe përpiquni të bëni detyrën e mamisë për të nxjerrë nga kutitë e votimit të vërtetën e 28 qershorit në kohën e duhur.

Ky Parlament, dy gjëra nuk po i bën deri tani:

Nuk po bën ligje të standardit kushtetues dhe nuk po del nga kriza e mendimi për një dialog në shërbim të ligjbërjes. Pas kësaj, e çfarë do ti mbetet të bëjë?

Megjithë atë, për të urtët ende kohë. Mjafton që Kryeministri Sali Berisha dhe Zonja Topalli të futen në udhën e arsyetimit dhe të largohen nga inati provincial dhe partiak.

(*) Fjala e deputetit të PS, mbajtur sot në Kuvend

KOMENTE