English

Çfarë fsheh Sali Berisha?!

Çfarë fsheh Sali Berisha në këto kuti?! Nëse procesi zgjedhor dhe numërimi i votave ka qenë i rregullt, përse heziton dhe nuk po lë argument e justifikim pa përdorur për moshapjen e tyre?

Nga Fatmir Toçi*

Unë vij në këtë Kuvend me votat e Qarkut të Vlorës dhe tanimë dihet nga të gjithë se cili ishte vullneti i shumicës së vlonjatëve, sarandjotëve dhe delvinjotëve (por edhe gjithë shqiptarëve për qeverisjen e ardhshme).

Sot doja të sillja këtu zërin, problemet dhe shqetësimet e njerëzve që më kanë votuar, gjendjen e tyre të mjeruar social-ekonomike, papunësinë që ka mbërthyer pjesën më të madhe të shqiptarëve, humbjen e vendeve të punës kryesisht për shkak të diskriminimit politik dhe militantizmit të theksuar në qeverisje, mungesës së theksuar në investime për infrastrukturë për të lehtësuar jetën e shqiptarëve, për problemin e pazgjidhur të ligjit mbi tokat dhe përpjekjet e pareshtura për grabitjen e atyre në bregdet, për politikat antiturizëm dhe kundër Vlorës e vlonjatëve kur bëhet fjalë për shkatërrimin e Gjirit të Vlorës, mbretëreshës së turizmit shqiptar, etj.

Mund të flitej për korrupsionin që ka mbërthyer çdo qelizë të administratës shtetërore dhe të shoqërisë shqiptare, ku këngën e marrin dhe vallen e hedhin jo pak, por një qeveri me 13 dikastere, 35 zëvendësministra e 243 drejtorë drejtorish për të shpërblyer e për të ndenjur urtë të gjithë, PD e aleatët që ndajnë tortën e qeverisjes. Në kohën e sotme nuk bën më përshtypje përralla e Ali Babës me 40 hajdutë, kur kemi Babë Saliun me 300 karrige vetëm brenda qeverisë me zëvendësministra e drejtorë. Dhe kjo në një kohë kur bëhet demagogji për qeveri në dietë, për heqje makinash, shoferësh e shkurtim të shpenzimeve administrative.

Do të doja të flisja për çdo qytetar shqiptar, emër për emër, që sot, 20 vjet pas pluralizmit, është i detyruar të konsiderohet evropian i dorës së tretë.

Deformimi i procesit zgjedhor në qershor të vitit të kaluar, angazhimi i gjithë administratës shtetërore në mbështetje të hapur të partisë në pushtet, presionet për pushime nga puna të atyre që nuk do të votonin për të djathtën në pushtet, roli i të burgosurve të liruar si presion psikologjik ndaj votuesve, manipulimi me varfërinë e njerëzve (përfshi komisionerët) në përpjekje për të blerë votën e tyre etj, janë shfaqje që janë ndeshur në çdo hap gjatë fushatës elektorale, veçanërisht në bashkitë e komunat që drejtohen nga e djathta në pushtet.

Ndaj rasti i manipulimeve dhe i deformimit të zgjedhjeve në Ruzhdie nuk është aspak një rast i veçantë, rastësor dhe i shkëputur i zgjedhjeve të 28 qershorit, por kambana e alarmit për nevojën e domosdoshme të hetimit të të gjithë procesit zgjedhor, dokumentet dhe faktet e të cilit ndodhen brenda kutive të votimit. Refuzimi kategorik dhe arroganca prej më të forti e mazhorancës së sotme vetëm sa e ka vërtetuar dyshimin e çdo shqiptari dhe e ka forcuar bindjen tonë për parregullsitë që mbajnë brenda ato kuti, si shprehje e deformimit të vullnetit të njerëzve që kanë votuar. Rasti i Ruzhdies si shprehje e cilësisë së zgjedhjeve të kaluara tregoi se Shqipëria nuk mundi ta kalojë stekën për ta lënë pas periudhën e tranzicionit që po përfshin një brez njeriu; se në mendësinë e pandryshueshme të drejtuesit të kësaj qeverie, edhe pse kanë kaluar 20 vjet dhe ka hyrë në start një brez i ri votuesish që ka lindur pas rënies së komunizmit, edhe pse në mes të Evropës, na dëshmon se pushteti merret me gjak e korrupsion dhe mbahet me vjedhje.

Për ta bërë më të thjeshtë problemin do të desha t'i bëj një pyetje të thjeshtë çdo shqiptari që sot po na ndjek gjithë ankth:

- Çfarë fsheh Sali Berisha në këto kuti?! Nëse procesi zgjedhor dhe numërimi i votave ka qenë i rregullt, përse heziton dhe nuk po lë argument e justifikim pa përdorur për moshapjen e tyre?

- Edhe kur këtë e lejon ligji;

- edhe pse praktikisht nuk ka asnjë kosto;

- edhe kur morali politik e ka vendosur si një sfidë midis palëve;

- edhe kur opozita deklaron se nuk kërkon ndryshimin e mandateve, cilido qoftë rezultati i hetimit;

- edhe kur një veprim i tillë e fut në rrjedhën normale jetën politike në vend dhe e bën

opozitën bashkëpunuese,

- edhe kur partnerët tanë ndërkombëtarë e këshillojnë si një zgjidhje të ngërçit dhe krizës politike;

- edhe kur Komisioni i Venecias është shprehur vite më parë për raste të tilla të ngjashme.

Për mua, për të gjithë socialistët që kanë votuar në mazhorancë si rrallëherë tjetër, për çdo shtetas të këtij vendi përgjigjja është e thjeshtë dhe tashmë e qartë: Në ato kuti, që janë bërë më të vështira për t'u lëvizur nga vendi se sa bunkerët e komunizmit, mbahet i fshehur çelësi i pushtetit të vjedhur. Kaq e hidhur është e vërteta që mbajnë brenda të fshehur ato kuti sa kjo qeveri është e gatshme ta çojë vendin në kolaps dhe të mos pranojë të bëjë transparencën e tyre.

Të nderuar kolegë,

Nëse 13 vjet më parë do t'i thoshe çdo vlonjati se Sali Berisha do të rikthehej në pushtet dhe do të qeveriste Shqipërinë edhe në vitin 2010, me siguri që do të të merrnin për të çmendur. Një komision parlamentar kërkoi të gjejë fajtorët e vitit të mbrapshtë 1997, që solli një tragjedi të paparë njerëzore, si dhe ata të vitit 1996 që sollën një tragjedi financiare që i parapriu të dytës. Një vit më pas, më 1998, bëri të njëjtën gjë, duke sulmuar institucionet e shtetit dhe duke destabilizuar totalisht vendin.

E bëmë këtë retrospektivë, për ngjarje që nuk u analizuan e gjykuan kurrë dhe kur nuk pati asnjëherë fajtorë dhe të dënuar, për të theksuar se ky individ nuk shkoi kurrë as në prokurori, e as në gjykata, pavarësisht se gishti i gjithë shqiptarëve i drejtohej atij dhe e konsideronin fajtor, qoftë edhe për faktin se ishte kreu i shtetit shqiptar në atë periudhë dhe përgjegjësia kryesore binte mbi të. Ky njeri është shembulli tipik i injorimit të organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave, gjatë gjithë historisë së tij politike në këto dy dekadat e fundit.

Dhe çfarë ironie të dëgjojmë sot të flitet për respektim dhe pavarësi të gjyqësorit!

Argumenti kryesor i mazhorancës së sotme për pengimin e hetimit të zgjedhjeve dhe mos hapjen e kutive është se ajo nuk mund të shkelë mbi vendimin e KQZ-së dhe vendimet e gjykatave. Ne jemi shprehur hapur, publikisht, se e njohim këtë rezultat dhe vendimet e këtyre gjykatave, si shenjë e respektimit të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve. Por, të bindur në vjedhjen spektakolare dhe mekanizmat korruptive antiligjore që u përdoren gjatë këtyre zgjedhjeve, të bindur se këto mekanizma çuan në deformimin e vullnetit të shqiptarëve për t'u qeverisur, që zgjedhjet të mos kthehen më në tender për përfitime të atyre që e administrojnë këtë proces, kërkojmë një proces hetimor të plotë për marrjen e masave dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të personave të implikuar, të papërgjegjshëm apo të korruptuar në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme kjo katrahurë zgjedhore të mos ndodhë më.

Argumenti se mazhoranca e sotme nuk mund të dalë mbi gjykatat është si një mburojë prej llamarine të ndryshkur përballë shpatës së fortë të kërkesës popullore, gjithnjë në rritje, dhe të institucioneve ndërkombëtare, gjithnjë e më shumë, për domosdoshmërinë e hetimit të këtyre zgjedhjeve dhe ligjësimit të hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave nga subjektet e interesuara sa herë që kjo do të kërkohet.

Po kush është njeriu që i quan të shenjta vendimet e gjykatave dhe që, sipas tij, nuk guxon të shkelë mbi to? Janë bërë publike tashmë rastet e pashembullta, kur brenda një periudhe prej 4 vjetësh, jo pak, por 20 vendime të kësaj qeverie, rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese. Berisha është rasti unikal në historinë e gjyqësorit shqiptar që ka injoruar me arrogancë dhe karshillëk tribal çdo ftesë gjyqësore apo nga Prokuroria.

Njeriu që përsërit se respekton dhe deklaron se nuk mund t'i shkelë vendimet e gjykatave nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre kur e kërkojnë të shpjegohet për fyerjet që u bën njerëzve të ndryshëm, gazetarëve dhe pronarëve të mediave, madje edhe deputetëve dhe figurave të njohura të politikës ; në konferencat e shtypit, bisedat në studio të ndryshme, para kamerave, publikisht, madje edhe në këtë sallë të Kuvendit të Shqipërisë, duke dhunuar e përdhosur këtë tempull të fjalës së lirë. Qeveria shqiptare në këto gati 5 vjet qeverisjeje nuk pranon të zbatojë vendimet e gjykatave për kthimin në punë të disa qindra nëpunësve dhe punonjësve të pushuar me pa të drejtë nga puna, nuk zbaton vendimet e gjykatave në konfliktet e saj me biznesin, ose i zbaton ato në mënyrë selektive vetëm në ato pak raste kur ajo rezulton fituese, nuk zbaton vendimet e gjykatave për kthimin dhe kompensimin e pronave subjekteve të shpronësuara etj. Një rast tipik, sa për ta ilustruar, është ai i moszbatimit nga shteti të vendimit të gjykatave të të gjitha shkallëve të detyrimit mbi 1 milionë dollarësh të shtetit për të paguar rreth 35 subjekte shqiptare të biznesit për punën e kryer për furnizimin me tekste shkollore sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Shumë prej këtyre subjekteve i janë drejtuar gjykatës së Strasburgut dhe çështja është drejt zgjidhjes, për turp të shtetit shqiptar që nuk njeh dhe injoron sistemin e tij gjyqësor.

Duke siguruar se opozita e sotme nuk kërkon ndryshimin e rezultatit zgjedhor dhe njeh verdiktin e gjyqësorit në lidhje me këto zgjedhje, ne i bëjmë thirrje maxhorancës dhe kryetarit të saj, i bëjmë thirrje këtij Kuvendi, që ta gjykojë me urtësi kërkesën e tonë për domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar:

- si një masë e domosdoshme për zbardhjet e të vërtetës që ato mbajnë fshehur;

- që parregullsi dhe deformime të tilla të mos përsëriten më;

- që vendit t'i kthehet normaliteti parlamentar dhe politik;

- që të bëhen korrigjimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor që do t'i shërbejnë zgjedhjeve të ardhshme;

- që Shqipërisë t'i kthehet stabiliteti politik në mënyrë që të realizojë detyrat e saj për integrimin në Evropë;

- që bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë midis pozitës e opozitës t'i shërbejnë zgjidhjes së problemeve më imediate që ka vendi dhe njerëzit;

- që procesi i heqjes së vizave dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të njerëzve të mos mbeten peng i kësaj maxhorance dhe e një njeriu të vetëm që ka frikë nga e vërteta.

Në të kundërt, siç është shprehur dje një personalitet i delegacionit të Evropës Juglindore: "Zoti Berisha duhet të jetë i përgatitur për kostot".

(*) Fjala e deputetit të PS, mbajtur sot në Kuvend

KOMENTE