English

Të ndodhesh rastësisht në Parlament

Duke vënë një kusht, të cilin ju e dini se ne nuk mund ta realizojmë pa u bërë bashkëfajtorë në një krim kushtetues, duke e ditur këtë, dhe këtë e keni ditur gjithmonë, ju keni ardhur këtu për një alibi tjetër. Ju ndodheni këtu rastësisht dhe pa dëshirën tuaj, sepse e vetmja arsye për të qenë sot në parlament është konsekuencë e prezencës suaj për të mos djegur mandatin tuaj kushtetues

Nga Lulzim Basha*

Ministër i Brendshëm

Kemi kaluar shumë orë në këtë debat dhe mendoj se kemi ardhur në pikën e përsëritjes, ripërsëritjes, monotonisë, mërzisë dhe shterimit të plotë të ideve. Ndaj dua të shtroj një pyetje në vend të një fjalimi përsëritës. Për çfarë jemi këtu sot? Vërtet keni ardhur me vullnetin e sinqertë për të gjetur një zgjidhje? Apo keni ardhur për të gjetur alibinë e radhës, sepse nuk i japim një zgjidhje këtij problemi? Nëse keni ardhur për zgjidhje, baza e konsensusit tashmë është dhënë që në shtator nga maxhoranca, nëpërmjet Kryeministrit Berisha, i cili i ofroi opozitës shumicën në komisionin hetimor. Është konfirmuar edhe nga Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës, ku ju varët shumë shpresa. Ejani, pra, në qoftë se me të vërtetë vini për një zgjidhje, duke pranuar lëshimin e maxhorancës, ose të paktën duke propozuar ato amendime, të cilat sanksionohen edhe nga propozimet e KE-së.

Por a e keni ardhur këtu sonte për një zgjidhje? Kjo është një pyetje, të cilës unë në këtë moment nuk mund t'i përgjigjem, sepse folës pas folësi përfaqësuesit e opozitës vazhdojnë të insistojnë për atë që e quajnë krim elektoral.

Cili është krimi elektoral?

Sa herë të flisni për krimin elektoral edhe ne nuk do të lodhemi t'ju përsërisim faktet kokëforte që sot i di e gjithë bota.

Ku qëndron mungesa e transparencës? Te 20 mijë komisionerët tuaj, ku asnjëri prej të cilëve nuk firmosi asnjë vërejtje të vetme në procesverbalin e 28 qershorit?

Te 30 mijë vëzhguesit tuaj, ku asnjëri prej të cilëve nuk depozitoi asnjë ankesë, apo te 140 kandidatët tuaj, që ashtu sikundër kandidatët tanë e gdhinë dhe e ngrysën pranë qendrave të votimit?

Ku qëndron krimi elektoral? Si mundet që OSBE-OHDIR-i e sanksionoi këtë "krim elektoral" si zgjedhje demokratike që plotësuan angazhimet kryesore të Shqipërisë përballë OSBE-OHDIR-it?

Si mundet që përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e OSBE-së të përgëzonte qytetarët shqiptarë dhe Qeverinë shqiptare për këtë arritje?

Si mundet që kjo të sanksionohej nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë, euroatlantike, ndërkohë që përbënte një krim elektoral, sipas jush?

Në qoftë se është krim, ku janë provat?

Doli kryetari i grupit tuaj këtu dhe paraqiti karta identiteti që pretendoi se ishin false. E ftova dhe e sfidova t'i çonte në Prokurori, por nuk i çoi. Tani do të jetë i detyruar t'i çojë dhe të japë llogari se si i mori, kush i prodhoi? Janë me të vërtetë apo jo false?

Ju thoni se keni prova për krim elektoral, kur e vetmja tentativë për krim, natën e zgjedhjeve dhe natën pas saj, ishte tentativa e turpshme e dirigjuar nga deputetët e sapobetuar që si hezbollahë mundoheshin të eksitonin turmat në Fier për të linçuar dy zonja të nderuara.

Keni ardhur për zgjidhje apo për alibi? Nëse keni ardhur për zgjidhje, ne ju kemi dhënë gjithçka që maxhoranca mund t'ju ofrojë, shumicën dhe vullnetin për të sanksionuar me votën e maxhorancës çdo amendim tuajin që kalon sitën e organizatave ndërkombëtare, që ju vetë i thirrët si arbitër, por i përzutë, pasi nuk pranuat asnjë prej sugjerimeve të tyre.

Frika ime dhe dyshimi im i madh është se sot ju nuk keni ardhur këtu për zgjidhje. E thatë dje, për herë të fundit, por e keni thënë edhe më parë, nuk ka kompromis, nuk ka negociata me këtë qeveri, nuk ka negociata pa hapur kutitë.

Por ju doni diçka qe ne nuk e kemi, diçka që ne nuk mund t'jua japim. Nuk mund t'jua japim edhe po të duam t'jua japim, sepse s'na përket ne dhe që t'jua japim ne duhet t'ia bashkëvjedhim me ju sovranit, duke shkelur kështu mbi dokumentin themeltar të shtetit.

Në këtë mënyrë ju po na ftoni sot që ne së bashku të kryejmë një krim kushtetues. Nëse ky parlament e bën këtë hap, nëse kjo maxhorancë e pranon këtë propozim, atëherë ky parlament nuk ka të drejtë të ekzistojë më as edhe një sekondë të vetme, sepse në këtë mënyrë ky parlament kthehet në kërcënimin më madhor për demokracinë dhe rendin kushtetues të këtij vendi. E meriton të shpërndahet përpara se ta bëjë këtë, përndryshe gjithçka që ky vend ka njohur në këto 20 vjet qëndron përpara një humnere të thellë.

Mënyrat për të arritur zgjidhjen që ju pretendoni se doni të arrini tashmë janë mbi tavolinë të sanksionuara nga maxhoranca, të sanksionuara nga Këshilli i Europës, qoftë kjo nëpërmjet ligjit, me mendimet përkatëse, qoftë nëpërmjet ofertës tonë për të çuar në prokurori çdo fakt tjetër që ju dispononi, pra thelbi, dyshoj, kam frikë, jam i bindur, është se ju nuk keni interes në këtë ofertë, se ju nuk kërkoni kompromis, se ju nuk kërkoni zgjidhje të këtij problemi.

Duke vënë një kusht, të cilin ju e dini se ne nuk mund ta realizojmë pa u bërë bashkëfajtorë në një krim kushtetues, duke e ditur këtë, dhe këtë e keni ditur gjithmonë, ju keni ardhur këtu për një alibi tjetër. Ju ndodheni këtu rastësisht dhe pa dëshirën tuaj, sepse e vetmja arsye për të qenë sot në parlament është konsekuencë e prezencës suaj për të mos djegur mandatin tuaj kushtetues.

Kam frikë, kam bindjen se ju tashmë e keni marrë një vendim, dhe vendimi është duke qenë përballë vendimit të një maxhorance për të respektuar Kushtetutën, të bëni gjithçka është e mundur për të shpëtuar Edi Ramën nga katastrofa e zgjedhjeve lokale, katastrofë që e pret në mënyrë të sigurt për shkak të papërgjegjshmërisë së tij politike dhe për shkak të matematikës elektorale që ne dimë ta bëjmë dhe ju dini ta bëni dhe e keni bërë. Ndaj kjo farsë e sotme politike, këtu në këtë parlament, nuk është gjë tjetër veçse një harxhim kohe, një provë e nënshtrimit total tuajit dhe papërgjegjshmërisë historike të një individi që ju mban peng.

Qofsha i gabuar për çfarë kam thënë!

Më provofshi të gabuar!

E uroj këtë me gjithë zemër.

(*) Fjala e mbajtur sot në Kuvend

KOMENTE