English

Berisha: Transparenca, do të bëhet e plotë

Kranji, 20 mars, NOA - Nëse ekziston vullneti dhe dëshira nga ana e opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, komisioni i votuar nga mazhoranca është i aftë ta realizojë atë në mënyrë absolute dhe totale.

Një garanci të tillë për hetimin optimal të zgjedhjeve, ashtu si në fakt për muaj të tërë e kërkoi opozita, e ka dhënë vetë kryeministri Berisha në një prononcim të tij për mediat që nga Sllovenia, ku ndodhet në kuadrin e një konference rajonale.

"Shteti shqiptar, demokracia shqiptare i ka të gjitha instrumentet të gatshme për realizimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve", tha Berisha.

Duke shtuar më pas se parlamenti shqiptar po tregon një frymë dhe një vullnet bashkëpunimi të paqortueshëm kundrejt opozitës.

Sipas kryeministrit Berisha, Shqipëria është një vend i lirë dhe opozita ka të gjitha hapësirat për të marrë pjesë në parlament, për të marrë pjesë në komision, për të protestuar e që të gjitha këto i ka dhe do t'i ketë të garantuara në një sistem demokratik.

"Kushtetuta e Shqipërisë duhet të respektohet, transparenca duhet të realizohet. Që të dyja këto për Shqipërinë janë 100 përqind të mundshme. Çfarë thotë komisioni? Thotë transparencë të plotë. Por mendoj se asgjë nuk mund të jetë dhe askush nuk mund të kërkojë që të dalë mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi gjykatat e vendit", e përfundoi ai deklaratën lidhut me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE