English

Konferenca e Bërdos mbyllet me sukses

Bërdo, 20 mars, NOA Update - Konferenca rajonale e zhvilluar sot në Bërdo të Sllovenisë, mund të thuhet se u mbyll me sukses, pasi përfaqësuesit politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord që të bashkëpunojnë më shumë në të ardhmen për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Palët deklaruan se nuk ka alternativë bashkëpunimi për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe porositën Bashkimin Evropian që ta mbajë si prioritet të lartë procesin e zgjerimit, ndërsa mes tyre u morën vesh që të bashkëpunojnë më shumë për të shpejtuar rrugën e integrimeve evropiane.

Duke e përmendur mënyrën se si Sllovenia dhe Kroacia kanë zgjidhur problemin bilateral, kryeministri i Sllovenisë, Borud Pahor dhe homologia e tij kroate, Jadranka Kosor porositën liderët e rajonit të kenë më shumë guxim në marrjen e veprimeve politike.

Ndonëse nuk u përmend me emër, kjo porosi iu dha edhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili kishte refuzuar të vinte në takim pasi nuk ishte plotësuar kërkesa e Serbisë për mënyrën se si të ftohej Kosova.

Sa i përket Kosovës, pjesëmarrësit thanë se Kosova është një fakt, ajo ekziston në rajon dhe nuk mund të tejkalohet. Prandaj, porositën që edhe Bashkimi Evropian të merret me këtë çështje dhe të sqarojë mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në takime të tilla.

n.e/NOA

KOMENTE