English

Poni në KE: Fondet vendore, janë 3-fishuar

Strasburg, 20 mars, NOA - Qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa pozitive në kuadrin e reformave në pushtetin vendor, decentralizimit si edhe disa-fishimit të fondeve ndaj tij.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryetarja e Dhomës së Rajoneve në Kongresin e Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Europës, Ludmilla Sfirloaga, gjatë një seance të posaçme për Shqipërinë ku ka zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.

Ai u ka treguar autoriteteve evropiane që mbikëqyrin ecurinë e pushteteve vendore, se sa rëndësi po i kushton qeveria shqiptare procesit të decentralizimit si edhe faktin që ajo ka trefishuar fondet për pushtetin vendor në harkun e katër vjetëve.

Ndër të tjera, Poni ka raportuar sesi qeveria shqiptare po zbaton programin kombëtar për investime lokale ku përfitojnë të gjitha njësitë vendore, ka lejuar disbursimin në nivelet 12 deri 15 herë të fondeve për investime drejt njësive vendore, ka kryer transformimin e Policisë Ndërtimore në Inspektoriat Ndërtimor nën autoritetin e të zgjedhurve vendorë, ka transferuar autoritetin fiskal për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël dhe dhjetëra taksave të tjera, ndërkohë gjatë kësaj kohe është kryer inventarizimi i pronave publike dhe disa-fishuar transferimi i tyre drejt pushtetit vendor.

"Falë trendit dhe prioritetit për të konsoliduar decentralizimin duke transferuar me shpejtësi përgjegjësi e kompetenca drejt vendorëve, buxheti lokal në vitin 2009 paraqet rreth 50 miliardë lekë, nga 12 miliardë që ka qenë, ku vetëm mbështetja e pakushtëzuar nga buxheti kombëtar është rreth 25 miliardë lekë", tha Poni

Duke shtuar se këtu nuk përfshihen edhe fondet ku bashkitë/komunat e këshillat e qarqeve janë aktorë të fuqishëm të administrimit e menaxhimit të tyre, si fondet për pagesën e papunësisë dhe mbështetjen sociale, fondet për investimet në arsim, në një pjesë të shërbimit parësor shëndetësor, fondet e mjaft projekteve të huaja etj.

n.e/NOA

KOMENTE