English

Topalli-Ramës: Komisioni Hetimor u votua sipas rregullores

Tiranë, 20 mars, NOA - Vendimi i marrë një ditë më parë nga Parlamenti për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, është në zbatim të rregullores së Kuvendit. Ky është qëndrimi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pas akuzave të kreut të PS-së, Edi Rama për pavlefshmërinë e ngritjes së këtij komisionit.

Në emër të kryeparlamentares, Topalli, zëdhënësja, Suela Ruseti, deklaroi se Kuvendi ka zbatuar më përpikmëri gjithë procedurat që kanë të bëjë me paraqitjen e kërkesave nga ana e deputetëve.

"Me votimin e mbrëmshëm, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit", u shpreh Ruseti.

Sipas saj, miratimi i nismës ligjore me 73 vota është i mjaftueshëm për të nisur procesin e transparencë së zgjedhjeve.

"Kuvendi e mori këtë vendim me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e djeshme t'i qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë", u shpreh zëdhënësja, Suela Ruseti.

Ajo shtoi se grupi parlamentar i PS-së, u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve proceduriale.

"Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij. Sipas Rregullores së Kuvendit nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj. Konfirmojmë zyrtarisht se, deri në këtë moment asnjë nga deputetet nismëtar nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma", u shpreh Ruseti.

Zëdhënësja e kryeparlamentares Topalli deklaroi se përveç deputetit, Taulant Balla, asnjë prej deputetëve të PS-së, nuk u tërhoq nga nisma.

"Në këto kushte, Kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të Rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla asnjë nga koleget e zotit Ruçi nuk u bashkua me të.Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgënjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave", u shpreh Ruseti.

Nga ana tjetër Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë thirrje kreut të PS-së që të lejojë hyrjen e deputetëve në Komisionin Hetimor. "Kryetarja e Kuvendit i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë etransparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit!", u shpreh zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti

m.xh/NOA

KOMENTE